Grabiti Postën Shqiptare nën kërcënimin e armës, arrestohet 29-vjeçari në Gjirokastër

Grabitet me armë zjarri filiali i postës Shqiptare në Gjirokastër. Ngjarja është regjistruar rreth orës 12:52, ku një shtetas, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit, ka arritur të marrë një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare në lagjen “Varrosh”, Gjirokastër, dhe është larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë vënë në ndjekje të autorit.

Falë  kontrollit të imtësishëm të zonës, shërbimet e Policisë bënë të mundur që pas disa minutash të lokalizonin dhe të arrestonin autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin I. M., 29 vjeç, banues në Vlorë, si dhe të sekuestronin armën e zjarrit, shumën e parave të vjedhura, kapuçin dhe një palë doreza.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi municioni luftarak.

29-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për të vijuar me procedurat e mëtejshme.