“Bashkëshorti juaj ka fituar tendera, pse s’e quan dhe atë oligark?”, Spiropali përplaset me Zhupën
Seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate dhe replika të shumta mes deputetëve.
Debat i ashpër është zhvilluar edhe mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe deputetes Ina Zhupa.
Nga foltorja e Kuvendit, Spiropali tha se bashkëshorti dhe familjarë të deputetes Ina Zhupa, janë fitues të tenderave nga institucionet shtetërore.
Ndërsa më tej, ajo theksoi se në këtë rast kur bashkëshorti apo familjarët e Ina Zhupës fitojnë tendera, ata nuk quhen oligarkë, por “biznesmenë të ndershëm që ndërtojnë rrugë” i quajnë oligarkë.
“Në shtëpi prej xhami mos gjuaj me gurë. Se nuk ka asnjë arsye pse për shembull të themi kur bashkëshorti, familja juaj fiton tendera nuk quhet oligark kurse një biznesmen i nderuar që ndërton rrugë, quhet oligark. Nuk gjej arsye si kur një individ që ndërton aeroporte apo rrugë quhet oligark, dhe kur paguan kunetërit tuaj, quhet biznesmen i nderuar.
Për këto fakte jam përballur edhe në gjykatë, jo me ju por me shefin tuaj. Dhe nuk ka ardhur në gjykatë por ka sjellë kunatin. Me këtë gjuhë, apo sistem pa ide, jo “Rama 4”, por kushedi sa Rama do ju ndjekin”, u shpreh Spiropali.
“Unë e kuptoj shumë mirë që Spiropalit i është tharë goja nga drejtësia, sepse ajo ka një faturë prej 5 milion euro që duhet të justifikojë, ndërsa unë s’kam patur ndonjëherë ndonjë post”, tha Zhupa.