Afrimi i sezonit, shtohet “ushtria e pastruesve” të Sarandës

Saranda do jetë një ndër katër zonat bregdetare me kapacitet të shtuar për pastrim ambiental gjatë sezonit të verës.

Kjo u bë me dije nga ministrja Kumbaro gjatë një shpjegimi televiziv mbi aksionin kombëtar disamujor të pastrimit, ndërmarrë prej bashkive.

Gjatë sezonit të verës do të dyfishohet kapaciteti për pastrimin e katër zonave bregdetare, Sarandë, Vlorë, Kavajë dhe Durrës, bëri me dije ajo, raporton Euronews Albania ku znj. Kumbaro dha një intervistë.

Ajo sqaroi se pastrimi i territorit është përgjegjësi e pushtetit lokal dhe sipas ministres, bashkitë kanë për detyrë që të mbledhin mbetjet dhe t’i dërgojnë deri në pikën e grumbullimit.

“Me ligj, me Kanun, me traditë, menaxhimin e mbetjeve nuk e bën qeveria, menaxhimin e mbetjeve e bëjnë bashkitë. E kanë detyrë funksionale të mirëmbajnë dhe pastrojnë territorin”, tha Kumbaro.

Ajo tha gjithashtu se se është caktuar një fond prej 500 milionë lekë si ndihmë për bashkive që respektojnë ligjin për mbetjet.

Bashkitë raportojnë çdo ditë në 12 grupet e operacionit të pastrimin në çdo qark të vendit, bëri me dije Kumbaro, duke theksuar dhe anën ndëshkimore.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit tha Kumbaro ka gjobitur së fundi kreun e Bashkisë së Poliçanit me 5 milionë lekë.

Gjithashtu një muaj më parë është gjobitur kreun e Bashkisë së Malësisë së Madhe për keqmenaxhim të mbetjeve në Razëm.