Tuneli i Llogorasë ndryshon planet e investimeve në energji për zonën e Jugut

Zhvillimi dinamik i Jugut me fshatra e resorte turistike kishin kthyer në vëmendje nevojën për investime shtesë në rrjetin energjetik për t’ju përgjigjur konsumit gjatë pikut të sezonit.

Por futja në lojë e një vepre infrastrukturore ka ndryshuar tashmë planin fillestar. Bëhet fjalë për tunelin e Llogorasë për të cilin Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka kërkuar kompanive publike që të garantojnë furnizimin me energji të tij dhe ta kenë këtë parasysh në planet e tyre të investimit dhe zhvillimin e rrjetit energjetik. Projekti më i afërt është ai për nënstacionin e Palasës. Kjo do të thotë se tashmë aspekti teknik i kapacitetit dhe ai ekonomik i financimit për këtë projekt duhet të analizohen duke marrë parasysh edhe tunelin.

“Strukturat përgjegjëse të OST në përgjigje të kërkesave të ardhura dhe të dhëna të disponuara kane vlerësuar situatën aktuale te infrastrukturës energjetike në zonën e Himarë-Palasës dhe mundësinë e zhvillimit të saj në përputhje me planet zhvillimore të ngarkesës të paraqitur nga OSHEE dhe të MIE.

Megjithatë për të konkretizuar dhe saktësuar më tej detajet teknike dhe ekonomike të projektit, si vendndodhja e saktë e tunelit, pozicionimi i nënstacionit elektrik të ri i Palasës, fuqia e tij dhe të dhëna të tjera te domosdoshme, duhet që nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të vihet në dispozicion koordinatat e sakta të “Tunelit te Llogarisë” dhe projektin përkatës te tij konform procedurave standarde të Lidhjes të sanksionuara ne Kodin e Transmetimit, si dhe një bashkëpunim i ngushtë me strukturat përgjegjëse të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për të dalë me një variant final të dakordësuar të zhvillimit të rrjetit të transmetimit dhe të shpërndarjes në zonën Himarë-Palasë” thuhet në një dokument të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Në të njëjtin dokument OST ka nënvizuar se për ndërtimin e nënstacionit të Palasës do të vijohet sipas hapave të ndjekur me ndërtimin e nënstacioneve 110 kv Himarë dhe Orikum ku paraprakisht do të nënshkruhet një marrëveshje tre palëshe OST, OSHEE, MIE në të cilën do të sanksionohen me detaje përgjegjësitë dhe të drejtat e secilës palë si dhe procesin e transferimit të aseteve tek operatori i shpërndarjes. Megjithatë në çdo rast MIE si iniciatore do të orientojë palët e përfshira për kryerjen e këtij investimi.

Tuneli i Llogorasë

Qeveria shpalli projektin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë gjatë vitit 2020 ku fitues u zgjodh projekti i një kompanie austriake. Më pas u hap gara për zbatimin e projektit dhe Ministria pas mbylljes së procedurës në tetor të 2021 njoftoi se fitues ishte konsorciumi turk İNTEKAR YAPI LTD. ŞTİ, me një ofertë ekonomike 17 miliardë lekë. 17,036,526,000 lekëve.

Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta.

Tuneli është vazhdim i kontratës “Dhënia me koncesion /PPP ‘Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Segmentit Rrugor Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’ fituar nga kompania Gjikuria./Monitor/