Rama: Hapen të dyja hyrje-daljet në tunelin e Llogorasë
Në kantierin e tunelit të Llogorasë vijon puna pa pushim për ndërtimin e tij.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që po kryhet për hapjen e këtij tuneli, i cili konsiderohet një vepër strategjike për turizmin.
“Kantieri i tunelit të Llogorasë sot, ku janë hapur të dyja hyrje-daljet dhe vijon papushim puna”, tha Rama.
Vetëm në dy muaj që nga nisja e punimeve, në këtë kantier janë realizuar 5 % e punimeve, si ngritja e kantierit, devijimi i rrugës nacionale, hapja e dy portaleve të tunelit nga pjesa e Vlorës dhe nga ana e Palasës, ndërsa po vijon puna për gërmimin në brendësi të tuneleve.
Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bëjë që kjo rrugë të përshkohet për 7-10 minuta.