PERSONAZH: Nënë Fatua e Balanëve…
Nga Thoma Nika
Kjo është Vërva e natyrës së virgjër dhe e njerëzve bujarë, të punës e të miqësive.
Vërva e 600 metrave lartësi nga niveli i detit.
E piramidës së fundit të kufirit shtetëror.
Sidomos e piramidës më të lartë që mund të gjesh, të ngritur nga vyrtytet njerëzore.
Në çdo kohë në Vërvë gjen njerëz të etur për jetë e për miqësi, që u rezistojnë kohërave dhe u transmetohen brezave.
Vërva e gurgullimës së ujërave të kristalta dhe e gurgullimës së ndjenjave të pastra.
Ndoshta emri i vetë fshatit, është i prejardhur nga zakoni i vjetër i banorëve të tij: për të vënë e për të vënë ushqime mënjanë për ditë të vështirë.
Aq e besueshme kjo, sa për çdo brez ka ardhur si apel e si urdhër i mbijetesës. Që do të thotë: vër e vër mall e gjë mënjanë, për të mbajtur familjen dhe për të pritur sa më mirë mikun.
Në këtë shpjegim kuptimor të emrit të fshatit, ta çon mendimin kur njihesh me jetën e Fato Balanit.
Nënë Fatua është një prej mijëra vajzave, grave, nënave dhe gjysheve, me rrënjë e me degë nga ky fshat i bekuar.
Por nga mijërat, ajo ka të veçantat e saj, që nuk janë një e dy.
Kjo gurgullimë uji e kroit të fshatit, që edhe në verë e hedh ujin sa dora, sepse duket si kroi që simbolizon rrugën e shtruar dhe të ndërtuar me shumë punë e mundim të jetës së saj.
Hedh sytë tejpërtej horizonteve të fshatit dhe gjithçka që të kap syri, të ndihmon të kuptosh se kush i bën yzmet punës, e hedh dynjallëkun tutje dhe bën prokopi. Edhe në një fshat si ky, ku thuhej se të shqyente ujku, ku dhelpra ishte bërë si e shtëpisë dhe ku pula ha strrall.
Nga këta njerëz të artë nga puna e të urtë prej mënçurisë, është edhe Nënë Fatua.
Barrët e rënda të jetës, i ranë mbi supe kur ishte akoma fëmijë.
Fati i saj do të parashkruhej të rritej jetime me nënën gjallë.
Forca e zakonit ishte më e madhe se forca e lidhjes martesore.
Për një fjalë, Babai e dërgoi në derë të babait saj të ëmën e Nënë Fatos.
Për një gabim të pabërë prej saj.
Pulat e lëshuara nga tjetërkush në lëmin me drithë dhe dëmi që bënë në bukën e vitit, djallëzisht u paraqit si vepër e saj. Kaq fjalë e gënjeshtërt, e thënë me ligësi, do të mjaftonte që të ëmës t’i tregohej rruga e dera nga kishte ardhur në derë të burrit. Kështu ndodhi që Fatua u rrit pa parë dritën e syve të nënës dhe e privuar nga përkëdhelitë e saj.
Kjo e të tjera episode që pasuan, e bënë Faton të fortë dhe e përgatitën që ajo jo vetëm t’i kalonte, por edhe të vallëzonte mbi dallgët e jetës që e priste.
Ja përse të gjithë njohën te Nënë Fatua, Kapetanen e vërtetë.
Ja përse, jeta që bëri, gati njëshekullore, nuk e trembi asnjëherë.
Ajo e jetoi dhe e shijoi jetën ashtu siç i erdhi.
E ajo nuk ishte fushë me lule.
Fushë me gjemba, mund të thuhet se ishte.
E gjëmbat të trembin, se shpojnë e të gjakosin.
Por jo Nënë Faton.
Ajo shkeli mbi to, shpesh me këmbët thuaj zbathur, duke ecur nëpër dëborë.
Bëri çdo punë e duke i thënë dynjallëkut “tutje”, atje ku nuk ta pret mendja. Mbi të gjitha, me shpirtin behar e zemrën e florinjtë.
Dy gjërat, për të cilat janë të njohura nënat çame: pastërtia dhe ndjenja e fortë e punës, te Nënë Fatua i gjeje në shkallën më sipërore.
Këtu e shihje të qëndiste apo t’i këndonte gjilpëra në dorë, pastaj fusha e kodrinat me grurë, i bëheshin pëlhurë dhe gjilpëra ishte drapëri.
Duke këmbyer çitjanet tradicionale të Çamërisë me pantallona pune, e gjeje në krah të Kadriut, shokut të jetës. Jo më pak të zonjën se ai. Nganjëherë edhe ia kalonte. Një grua që sekretin e fuqisë e kishte tek puna, tek marrja e jetës pa frikë e me qejf. Me qejf për të punuar duke kënduar dhe për t’i kënduar jetës me gjithë fuqinë e shpirtit.
E thirrur dhe e pamunguar në festa të fshatit, në festa familjare e në miqësitë, që i çmonte shumë.
Me shumë dritë në fytyrë, me shumë hare në shpirt, me tufën e urimeve të saj të mençura, në çdo sebep e trapez ku gjendej,
Nënë Fatua ishte njeriu që merrte gjithmonë vëmendjen më të madhe dhe simpatinë e të gjithëve, si dollibashe në çdo sebep në fshat, në fis apo në familjen e saj të madhe, të rritur po aq nga dhëmbshuria dhe nga respekti për njeri-tjetrin.
Kjo Nënë rriti personalitetin e saj, përmes kapërcimit të sa e sa halleve.
Hallet i binte fukarallëku që duhej mundur.
Por hall më vete ishte të ishe me damkën e mbesës së Jonuz Purrizos, atij që politikës zuzare i duhej ta përfshinte në “Grupin Çam” të Teme Sejkos.
Edhe më shumë akoma iu trashën “njollat në biografi” si motra e Rexhepit, vëllait të internuar, vetëm e vetëm se nuk dëgjoi të divorcohej nga gruaja ruse, që kishte dashuruar kur studjonte për oficer në ish-Bashkimin Sovjetik.
Jeta e Nënë Fatos ishte plot re të tilla të zeza, që vinin nga qielli i sistemit që iku. Një sistem dramash të panevojshme njerëzore, mbushur me internime, burgime e syrgjynosje për arësye të shpikura.
Mbi secilën nga këto re që i erdhën vërdallë, Nënë Fatua dijti t’i japë dritë jetës së saj. Se brenda vetes kishte atë diell që ia mohonin jashtë, në realitetin e vështirë dhe në monopatet e luftës klasore.
Me punë shumë e me fjalën e mirë, i hodhi pas krahëve të tëra hallet.
Fatua-vajzë këtu do ta kishte vitalitetin. Vitalitet ky, i treguar qysh në vitet kur ishte nxënëse jo e zakonshme në shkollën e Vërvës, ku nisi të brumosej edhe si një patriote e mirë.
Vjershat me afsh patriotik dhe këngët e bukura të historisë dhe trimave të Çamërisë, e rrëmbenin në valën e tyre.
E ajo bëhej si palë flamuri kur i recitonte e këndonte ato.
Këtë pasuri folklorike ajo do ta bënte të vetën, do ta shtonte dhe do ta përdorte, falë kujtesës fenomenale, deri në ditët e fundit të jetës së saj. Kënga, kujtesa dhe puna mbeti “qilimi fluturues” i saj mbi hallet e jetës dhe ndalesa e saj e bukur në stacionet e jetës, që dinte t’i kthente në gëzim të të gjithë atyre që e rrethonin.
Shkuarja nuse në derën e Balanëve, ishte një nusëri e bukur. Sënduku i pajës së saj do të kishte brenda 22 poshe, po kaq jelekë e pelshinj dhe 8 palë tumane, xhube e pallto, qëndisur me 120 fije argjendi. Makina qepëse e dhuruar nga xhixho Jonuzi, ia shtoi edhe më shumë sevdanë për punë të holla. “Po bëre vajzë,- i kishte thënë xhixhua i dhëmbshur- jepja vazjës”. Po kjo nuk ndodhi. Nënë Fatua e mbushi shtëpinë me 5 djem, njeri më i mirë se tjetri.
Të pestë i kishte si pesë cepa yjesh. E atyre u gëzohej si fëmijë e si Nënë e dhëmbshur. Por jeta i rezervoi edhe hidhërime. U hidhërua deri në palcë nga humbja e djalit të pestë, Luanit. Por nuk e dha veten ndonjëherë. Askush nuk e pa me kokën ulur.
Nuk iu dorëzua as kurtheve që përgatitën “të mëdhenjtë e prapësive” dhe “të vegjëlit” e fshatit, siç thoshte shpesh. Por ia doli të ngrerë ekonominë me “pikët” e famshme të punës në kooperativë. Beharëve oborri i shtëpisë mbushej plot me lule kamomili, murrizi, lulekuqe, shtogu e lloj-lloj. Prej tyre vinte bukuria e aroma e lëndinave të Vërvës, por edhe ndihma për ekonominë e shtëpisë që rritej, bashkë me kërkesat e nevojat në rritje.
Nënë Fatua ishte motorri i ndezur për çdo përçapje, që jeta të ecte me të gjitha gjymtyrët. Ajo e para, e nxirrte bukën nga guri.
Dhe rriti familjen vit pas viti, që vëllai të kishte vëllanë dhe të gjithë fëmijët të bëheshin të mbarë. E sidomos të bëheshin të shkolluar.
Sa bukur, ta dëgjoje arësyetimin se përse i donte të gjithë fëmijët me shkollë, kur vetë ishte e pamësuar nga shkolla, por vetëm nga jeta. “Nuk dua të jenë si Nana e tyre, thoshte, që t’u hajë pikët brigadieri, siç m’i ha mua”.
Shkolla e fshatit, kishte vetëm 4 klasë, e shumta tetë më vonë, Djemtë i shikonte që qenë të shtruar në mësime, njeri më i mirë se tjetri. T’ua priste udhëtimin në mes?
T’i linte me aq klasë shkollë sa kishte në Vërvë? Nuk ndodhte kjo me një nënë dhe një grua sedërqare si Nënë Fatua. “Për mua ishte njësoj si t’u mbyllja dritaren e jetës së bukur”, thoshte ajo.
Dhe bëri ç’bëri e të katër djemve u dha të mesmen e Konispolit, njerit pas tjetrit: Osmanit, Aranitit, Servetit e Gëzimit. Të katër ishin tërë etje për të mësuar e për të dalë të parët e klasës.
Po ku Vërva e ku Konispoli? “Shkollarët e Nanës”, vinin vetëm një herë në javë në shtëpi, se jetonin në konviktin e shkollës së Konispolit. Po edhe konvikti duhej paguar. Djemtë gdhiheshin mbi libra e Nënë Fatua, ndiqte nga pas ëndrrën e tyre, duke u “larë” çdo detyrim me “pikët” e punës sa për tre.
Dhe ku? Në kooperativën, që kooperativistët i robëtoi, por edhe vetë nuk u bë kurrë e pasur.
Po Nënë Fatua u bë e pasur, ama. Pasuria e saj ishin djemtë që ia dolën të mbarojnë gjimnazin e Konispolit, si ajka e shkollës. Ata mëso e Nënë Fatua puno. Ajo nuk bëri si shoqet, që mezi prisnin të mbaronin fëmijët e tyre një copë shkollë e aq dhe pastaj i priste puna e rëndomtë e robtuese. Ajo mendoi dhe veproi ndryshe nga shoqet me djemtë e saj. Për ata mendoi e punoi ajo. Duke ngarë lopët e të imtat, duke mësuar gjuhën e bletëve e duke u përpjekur një jetë që t’i ngjajë bletës punëtore.
Duke i dhënë kosores që priste jonxhën, e duke bërë furkë, duke tjerrë leshin e dhënve, që kthehej në qilima, velenxa, në bluza e çorape leshi dhe xhamadanë. Duke i rrahur pastaj qilimat e velenxat në dërstilë, që të bëheshin më të ngjeshur e më të bukur, si velenxat e qilimat më famë, të Çamërisë. Duke iu gëzuar lopës, si fabrika e shtëpisë për qumësht e mish e duke iu gëzuar ardhjes së çdo viçi në vit. Duke zënë bukë e duke rrahur dybekun, për të nxjerrë gjalpin e dranë, duke gatuar trahananë e dashur, pas orës me zile, që vinte nga kënga e parë e këndezit. Gishtat e duarve i ishin shtrembëruar nga kazma, nga çdo punë që dinte ta bënte për merak e plot dashuri.
Po edhe djemtë ia shpërblyen sakrificën. Si? Duke u bërë të mësuar, të ditur e të zotë për jetën dhe të respektuar në shoqëri. E prapë rruga quhej e lënë në mes, vetëm me të mesme. Përderisa kishte universitet, edhe ai duhej filluar e mbaruar.
Shumë gjëra mbase nuk i dinte Nënë Fatua. Por kur kishte dëgjuar që nga fshatrat e kësaj krahine ishte edhe Hasan Tahsini i Ninatit e ai arriti u bë i parë i Universitetit të Stambollit, kishte thënë me vete se djemve të saj asgjë nuk u mungonte për të marrë diplomë të shkollës së lartë. Dhe një nga një, pas të mesmes, filluan e mbaruan të lartën në Tiranë. Djali i parë, Osmani, u bë një ekonomist e financier me emër në Sarandë e më gjerë. Në administratën publike e më pas në profesion të lirë.
Araniti, gjithashtu provoi e la gjurmë të mira me lapsin e shtruar të financierit, profesionit për të cilën u diplomua. Por artisti, që asnjëherë nuk flinte brenda tij, e nxiti ta vinte lapsin në këllëf dhe të bëhej me studion e vet, fillimisht fotografike e pastaj televizive.
Në këtë shtrat ai gjen mirëqenien, bashkë me gëzimin për profesionin e dhuruar nga pasioni i tij për të bukurën dhe teknologjinë. Familjarisht mban në këmbë dhe i jep prestigj Studjos Balani, duke u bërë gjurmues, rregjistrues, kronikan dhe artist i gëzimeve të mëdha të njerëzve, në Shqipëri e jashtë saj.
Serveti me Gëzimin, gjetën gjithashtu veten e tyre, duke e ndërtuar punën dhe jetën në emigracion.
Të katër bashkë i lidh dashuria e shpirtit me njeri-tjetrin, respekti për të njohur e të panjohur, nderimi për miqtë e mirë, me të cilët i ka lidhur jeta. Në rrugët e tyre të jetës dhe të suksesit, sado modest, rritet e rritet urata dhe bekimi që janë djemtë e Kadriut dhe Nënë Fatos. E quajnë veten me fat që janë djemtë e Nënë Fatos.
Dhe me plot të drejtë. Me jetën dhe me punën, por edhe me këshillat e saj, që tingëllojnë si të sotshme, të dërguara nga përjetësia, ajo mbetet mësuesja dhe edukatorja e pazëvendësueshme e tyre.
“Në kohë të mira e në vështirësi, mos harroni të ktheni kokën pas”, është amaneti i Nënë Fatos. E nëse djemtë e saj janë kaq të plotësuar, kaq të mirë e me një vend të nderuar në shoqëri, dhe të trashëguar me pasardhës edhe më të mirë se ata vetë, që i bie të jenë nipër e mbesa dhe stërnipër e stërmbesa të Nënë Fatos së paharrueshme, shumë nga kjo mbarësi e mirësi që i rrethon, ata ia dedikojnë pikërisht asaj.
Për ata mbetet Heroina e tyre, punëmira, gojëëmbla, busulla dhe memorja e jetës. E rrëfyer në qindra motive këngësh e mijëra strofa vjershash dhe në ritme vallesh, që ishin dashuria dhe pasuria e saj.