“Minierë bari” nën tokë, zbulohet hyrja sekrete mijëra euroshe në Sarandë, 2 elektricistë në pranga, pronarët në kërkim
Policia në Sarandë ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë pas finalizimit të operacionit të koduar “Volloder”.
Bëhet e ditur se, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, policia nisi kontrollet në vendin e quajtur “Volloder” pranë fshatit Nivicë, Sarandë ku ishte përshtatur një magazinë për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve të kanabisit.
Në pranga u vu V. S., 57 vjeç, elektricist i OSHEE-së për shpërdorim detyre dhe G. H., 61 vjeç, faturist i OSHEE, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet e laboratorit ku përdoreshin llamba për rritjen e bimëve.
Kurse, në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike” u shpallën K. O. pronari i magazinës dhe K. M., i cili kishte marrë më qira ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestrua 100 bimë kanabisi të kultivuara në kubikë dhe 50 llamba elektrike.