Me dy shtata jetë, ikën njeriu i artit të shtatë notave

Nga Thoma Nika

Këtë 12 janar Covid i ndali rrahjet e zemrës së bardhë të Adem Dacit. Kitara është më e heshtura e kësaj dite, që mbushi me trishtim tërë ata që njohën Ademin dhe shijuan mrekullinë e artit të tij. Gishtat e Ademit nuk do rrëshkasin më mbi pistën e telave të saj, për të na dhënë tinguj të artë. Por ne e kemi në kujtesë tërë atë rrugë të gjatë e të bukur, që bëri me kitarën.

Rastësia është vetë mrekullia. Duke kërkuar një foto të tij, duke luajtur në kitarë, më hapet në ekran teksti i një kronike televizive, që kam realizuar më shumë se 10 vjet më parë për Ademin dhe kitarën e tij, për ekranin e Riviera Television.

“Kitara e Adem Dacit nuk pushon së prodhuari tinguj edhe jashtë skenave të koncerteve. Pasi bëhen tri-katër vetë të grupit të shoqërisë së ngushtë, përsëri kitara e artë e Ademit është midis tyre, si filli që i bashkon në meloditë më të dashura dhe nostalgjitë e secilit prej tyre. Në një prej paraditeve kur këndojnë për qejfin e tyre, u ndal kamera e Riviera TV.

(Nis me melodi)

Ademi dhe Tori, Nikollaqi dhe Maksi Zejnati e vëllai i tij, qëllon që ulen shpesh, si shokë të mirë e të vjetër që janë, për të biseduar për të djeshmen e të sotmen. Por midis tyre hyn gjithnjë kitara e Ademit, ajo që, kur është jashtë skenave të koncerteve, duket sikur i bën edhe më të ndjerë tingujt dhe meloditë. Kitara e Adem Dacit aty këndon e aty i qan meloditë motivet e djalërisë së tyre, serenatat korçare apo motivet përmetare e ato të sazeve të Delvinës, që nuk vdesin.

Në një lokal të thjeshtë, buzë rrugës mbi gjimnazin e Sarandës është vendtakimi i tyre gjithënjë, kur kanë disa orë të lira. “Shoqëria e vjetër, dhe muzika që buron nga shpirti dhe nga telat e kitarës së Ademit, janë si vera e vjetëruar”, thotë Maksi.

Ne u ndalëm këtë paradite pranë tavolinës së tyre, ku kishte edhe pak raki e për meze midhje të saponxjerra nga ujërat e liqenit të Butrintit.

Tavolina ishte modeste, por tingujt e kitarës së Ademit dhe të zërit prej këngëtari të Maksit, mbushin çdo hapësirë të dhomës së vogël dhe dalin jashtë, derdhen trotuarit dhe u kujtojnë kalimtarëve se muzika që di të bëjë Ademi dhe miqtë e tryezës së tij, janë ngjyra e lezeti i Sarandës së dekadave të shkuara, është nostalgjia dhe dashuria për këtë qytet të zemrës.

Iu lutëm të na këndonin diçka prej repertorit të tyre të preferuar dhe nuk na e prishën.

Këtë nostalgji I zoti I lokalit e plotëson edhe me një surprizë tjetër: ai na tregon se nën xham ka vendosur fotografi të rralla të Sarandës.

Në njerën duket detari Gaqe Lepuri, ikona e qytetit. Dhe më tej Saranda e viteve ‘60, ku duket skafi I babait të tij të ndjerë, xha Petref Belulit, një prej personazheve të Sarandës, për të cilin çdo banor i herhshëm i saj ka nostalgji dhe mall.

U ndjemë mirë që me kamerën tonë rregjistruam disa prej momenteve të bukura të kësaj shoqërie të mirë, në mesin e së cilës gjithnjë qëndron muzika. Shpresojmë që edhe shikuesi ynë të jetë ndjerë po kaq mirë, me atë që mundëm të përcjellim me kronikën tonë të thjeshtë”.

Ky është portreti që i bëri vetes Adem Daci, njeriu që bëri artin e shtatë notave dhe iku me dy shtata nga kjo jetë. Ky kthim retro le të jetë Homazhi im për ikjen e Artistit sot.