Kumbaro njofton bizneset: Ky është afati i fundit kur mund të merrni leje për lokale buzë plazhit
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka folur për ndarjen e parcelave në plazhe duke theksuar se subjektey e interesuar kanë kohë deri më 27 shkurt për të aplikuar dhe se nuk do të ketë rihapje të aplikimeve.
Aplikimi mund të bëhet online në portalin ‘Ealbania’, ndërsa ministrja vuri në dukje faktin se të gjitha subjektet që aplikojnë duhet të dorëzojnë një vërtetim se nuk kanë detyrime të pashlyera tatimore.
Sa i përket lokaleve buzë plazhit të njohura ndryshe si “beach bar”, Kumbaro tha se afati për të aplikuar për leje është deri më 25 mars. Ajo paralajmëroi se kontrolli në territor do të jetë ‘shumë i rreptë’.
“Kemi parë në plazhe njësi shërbimi ‘beach bar’. Jo të gjitha janë me leje, e dimë shumë mirë, por ky është viti ku duhet të formalizojmë të gjitha strukturat e shërbimit në plazhe, të gjitha baret, të vogla të mëdha. Ndaj duhet të marrin masat që ‘beach-baret’ t’i përgatisin për t’i paraqitur për miratim në agjencinë e zhvillimit të territorit.
Për subjektet që aplikojnë rishtas, pas marrjes së miratimit paraprak, duhet të paraqiten për të aplikuar për lejen për beach-bar. Duhet t’i japim fund ndërtimeve pa leje në plazhe. Edhe subjektet që kanë kontratë, duhet të aplikojnë. Afati i fundit për aplikimin për leje është data 25 mars. Paralajmëroj se kontrolli do të jetë shumë i rreptë. Nuk mund të lejojmë që në vitin 2022 ilegaliteti të bëjë ligjin në plazhe”, tha ajo.