Deputeti i minoritetit grek: U largova nga Kuvendi kur erdhi Erdogan
Deputeti Vangjel Dule i ftuar këtë të hënë në emisionin Open në Top Channel, ku u diskutua vizita zyrtare e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur kritika të ashpra për fjalimin e tij.
Ai tha se u largua para fjalës së Erdogan në foltoren e Kuvendit, duke u shprehur se është dhunuar institucioni më sovran shqiptar. Sipas Dules, ai fjalim plot ultimatume nuk duhet të ishte mbajtur nga ana e presidentit turk.
“Në mënyrë të ndërgjegjshme u largova para fjalës që do të mbante Erdogan. Sot është dhunuar institucioni sovran, zakonisht fjalimet nuk vënë kushte, sot u vunë kushte, kjo kondicionohet vetëm nga sovrani. Kishte tone ultimative, të vij herës tjetër dhe të mos kem këto probleme. Ne kemi struktura të cilat ndjekin çështjet, ai fjalim nuk duhet të ishte mbajtur”, tha Dule.
Kujtojmë se vizita e presidentit turk solli reagime të shumta në vendin tonë, pozitive dhe negative.
Gjatë qëndrimit të tij rreth shtatë orë Erdogan nënshkroi shtatë marrëveshje me vendin tonë, ndërsa mori pjesë edhe në ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave në Kurbin, të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin dhe xhamisë së Et’hem Beut në Sheshin “Skënderbej”.