“Na e kanë bërë proçkën”, gazetari: Pse Greqia do e fitojë “detin” në Hagë

Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që mosmarrëveshjet mes tyre për kufijtë detarë, në Detin e përbashkët Jon, t’i zgjidhë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë.

Në “Abc Live” Artan Hoxha tha se Shqipëria s’do të dalë e fituar, por mbase më pak e humbur se nga marrëveshja e 2009.

Ne s’kemi punë me Greqinë, ne mosbesimin e kemi te tanët, duke ditur që Greqia është në pozita më të forta. Na e kanë bërë proçkën, këtë dëshmojnë faktet. Pra frikën e kemi ndaj pozicionit të pushtetarëve tanë. S’e kuptoj pse qeveria duhet ta çonte në Hagë. SHBA thotë s’na është kërkuar ndihmë, pra kërkoi ndihmë atij  që e ke aleat. Në Hagë fiton ai që e argumenton më mirë pretendimin, ne kemi humbur në shumë raste, në këtë gjendje unë mendoj se s’do dalim të fituar, ndoshta më pak të dëmtuar se në 2009.

Të gjitha këto na tunden atje dhe janë një kambanë alarmi. Qeveria duke e çuar ka përgjegjësinë se duke qenë e pazonja iu nënshtrua presionit grek, futi kokën nën rërë, dhe ia kaloi çështjen Hagës. Kur ne jemi të dobët kërkojmë ndihmën e aleatëve, sepse duke ruajtur pozicionin e Shqipërisë aleatët ruajnë dhe të tyret. Autoritetet amerikane kanë qenë të shqetësuar nga marrëveshja”, tha Hoxha.

Dy herë palët tentuan ta arrijnë marrëveshjen por nuk ia dolën mbanë. Marrëveshja e arritur në vitin 2009 u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.