Kush i vodhi 200 mln lekë te supermarketi në Sarandë? Zbarkojnë Forcat Operacionale, kontrolle në disa banesa, pranga 36-vjeçarit
Policia e Sarandës prej 48 orësh po ushtron kontrolle të shumta për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes së 200 milion lekëve në supermarket “Halo” në lagjen nr.4 të Sarandës në orët e para të mëngjesit të 11 dhjetorit. Në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Vlorë, janë ushtruar kontrolle në disa biznese dhe banesa pranë vendit të ngjarjes.
Kryesisht janë kontrolluar mjedise ku mund të gjendeshin pamje filmike për të parë itenerarin e lëvizjes së autorëve.
Është shoqëruar në Komisariat pronari i një biznesi sistemesh sigurie dhe është mbajtur 10 ore ku është pyetur lidhur me pamje filmike afër ngjarjes.
Gjithashtu është ushtruar kontroll në banesën e biznesmenit të kondicionerëve Dh. N, 36-vjeç, i cili ka biznes pranë vendit të ngjarjes. Ai është shprehur se pajisja e tij nuk i ka të regjistruara pamjet e asaj dite.
Policia duket se nuk është mjaftuar me kaq dhe ka ushtruar kontroll në banesën e tij ku rastësisht ka gjetur 2 armë zjarri pistoletë si dhe 1 armë sportive pistoletë revolver. 36-vjeçari është arrestuar me dy akuza.
Po ashtu është ushtruar kontroll në një biznes bar-kafe ne pronësi të A. N, 46-vjeç.
Policia ka zbuluar se pronari e ushtronte veprimtarinë pa licence dhe pa certifikate fiskalizimi dhe për këtë është proceduar penalisht në gjendje të lirë.