Basha në Kuvend, paralajmëron përjashtimin e Berishës nga strukturat

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar përjashtimin e ish-liderit të PD-së Sali Berisha, duke thënë nga foltorja e Kuvendit Kombëtar se nuk do të lejojë në radhët e kësaj force politike persona me të shkuar kriminale, që turpërojnë shoqërinë dhe cënojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë.

“Nuk do lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz të inkriminuar në çdo veprimtari kriminale. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz që cënojnë orientimin e Shqipërisë, që krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD do jetë një forcë me sytë mendjen dhe trupin në perëndim”, tha ndër të tjera Basha.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Dua të shpreh kënaqësinë nga zemra tek ju shoh të gjithëve bashkë. Në një ditë kur kemi shumë për të thënë ndaj duhet edhe durim, edhe mirëkuptim për ata që kanë patur kaq shumë për të thënë por s’u është dhënë koha dhe vendi, dhe për ata që do të flasin me votë për të marrë vendimet që pret Shqipëria, që pret kombi shqiptar. Në këtë kuvend nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit. Jemi mbledhur për të thënë të vërteta që vetëm i kemi belbëzuar.

Sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës, sepse e vërteta është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë. Zgjedhim të ardhmen është moto e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit. Nuk është një slogan, “zgjedhim të ardhmen” është një qëndrim politik në të cilin ftohen sot delegatët e kuvendit. Përpara se të zgjedhim dhe të vendosim në këtë kuvend, thelbi i asaj që do të zgjedhim sot do të jetë përcaktues për Shqipërinë e së nesërmes.

Ne jemi PD e Shqipërisë, 31 vite, me suksese dhe dështimet tona, në qeveri dhe opozitë, jemi ne PD dhe demokratët shqiptarë që kemi përcaktuar shkëputjen nga diktatura. Sido të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër. Që ne të bëhemi bindës për shqiptarët, duhet të guxojmë t’u themi sot atyre si do jetë PD sot, do jetë Shqipëria nesër. Ky është një akt i madh dhe i guximshëm. Pasi duhet të aprovojmë sot si do jetë PD. Do jemi partia më e pastër, duke mos lejuar në radhët tona njerëz që turpërojmë shoqërinë shqiptare. Nuk do lejojmë njerëz që kanë qenë pjesë e diktaturës, genocidit komunist të Enver Hoxhës. Nuk do lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz të inkriminuar në çdo veprimtari kriminale.

Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz që cënojnë orientimin e Shqipërisë, që krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD do jetë një forcë me sytë mendjen dhe trupin në perëndim.  Nuk mund të lejojmë në PD njerës me prirje anti-demokratike që cënojnë lirinë e votës. Nuk do lejojmë në PD elementë nga bota e errët e lidhjes së politikës me krimin, dhe biznesin.