Aksion në Gjirokastër, kapet hajduti që bëri “kërdinë” nëpër shtëpi
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një person të shumëkërkuar. Bëhet fjalë për Robert Gjonin 51 vjeç banor në lagjen Partizan në Gjirokastër.
Aksioni për kapjen e tij është zhvilluar në orët e mbrëmjes së djeshme nga sektori i Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.
Gjoni rezulton autor i disa vjedhjeve të shtëpive në qytet dhe për këtë ishte shpallur në kërkim policor. Më herët 51 vjeçari është dënuar me burg për kultivim kanabisi dhe për vjedhje banesash. Materialet i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësive ligjore. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim R. Gj., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në muajin nëntor ka vjedhur disa mjete pune në banesën e shtetasit S. Gj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.