Sekretarja e PD, Qurku: 90% delegatëve të Sarandës në Kuvendin e 11 dhjetorit. Vazhdoj të jem në detyrë

Sekretarja e degës lokale të PD në Sarandë, Matilda Qurku gjatë një interviste të dhënë është shprehur se gati 90 % e delegatëve të Sarandës do të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.

‘Nga 140 delegatë që ka dega e Sarandës, kanë firmosur 100 delegatë. 20 prej tyre janë në emigracion. 20 prej të tjerëve, 13 ishin në atë mbledhjen dhe disa të tjerë janë vënë nën presion dhe dorëzuar.

Të vish nga Saranda në Tiranë, për të protestuar, është një torturë e vërtetë. Dhe mundi i tyre nuk duhet të shkojë kot. Sot dega e Sarandës nuk ka as kryetar dhe as sekretar. Kush do ti mbrojë ata demokratë të Sarandës, kush do ti mbështesë ata? Deputeti? Ai vjen vetëm për fushatë. Sot ne nuk kemi asnjë deputet që jeton në Sarandë’, tha Qurku.

Duke folur përballë moderatores Megi Fagu, Qurku është shprehur se ajo vazhdon të mbajë detyrën që i kanë dhënë demokratët e Sarandës, duke deklaruar se nuk ka asnjë mbledhje kryesie të PD-së që ta ketë shkarkuar.

‘Unë nuk e lë detyrën, unë do të jem aty deri sa të mblidhet kryesia e PDSH-së. Nëse do të më largojnë të më thonë arsyet.

Kam pasur komunikim me Bashën, kur erdhi si një nga kandidatët për kryetarë të PD-së. Kam pasur komunikim të vazhdueshëm me deputeten e zonës, që para 3 javësh ishim në terren. Unë kam qenë në detyrë, deri në momentin kur erdhi ‘Foltorja’.

Unë jam ende në detyrë, pasi nuk ka një mbledhje kryesie të PD-së që të ketë në rendin e ditës një shkarkim të sekretares së Sarandës. E kam kërkuar që dje shkresën për largimin tim nga detyra, por nuk më ka dhënë askush’, theksoi gjatë intervistës në SYRI TV, Sekretarja e degës lokale të PD në Sarandë, Matilda Qurku.