Përfundon rruga Dukaj-Sinanaj, lidh Tepelenën me bregdetin
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga rruga e sapopërfunduar Dukaj-Sinanaj e cila lidh Tepelenën me bregdetin.
Punimet për këtë vepër rrugore ku nuk ishte vënë dorë që prej vitit 1920 me një investim rreth 3.7 milionë euro, kanë nisur në dhjetor të 2020-ës.
Ky aks 14,5 km i gjatë, i vjen në ndihmë edhe sektorit bujqësor, edhe atij agroturistik.
“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje të rrugës së sapopërfunduar Dukaj-Sinanaj, e cila lidh Tepelenën me bregdetin dhe krijon një tjetër hapësirë zhvillimi turistik e bujqësor të Shqipërisë rurale, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Rruga ndjek gjurmën e vjetër që është ndërtuar nga italianët që në vitin 1920, por është investuar në ndërtimin e saj, duke siguruar të gjithë elementët teknikë të sigurisë rrugore.
Rruga, jo vetëm lehtëson lëvizjen, por edhe daljen më lehtë e më shpejt të prodhimeve të zonës dhe lidhjen e saj me ekonominë turistike të bregut.