Nisin punimet për aeroportin e Vlorës: Porta e tretë nga qielli
Në qytetin bregdetar të Vlorës nisën sot punimet për ndërtimin e aeroportit, që do të jetë edhe më i madhi në vend.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sipërmarrësi Behgjet Pacolli, ku kompania e tij Mabetex është pjesë e konsorciumit për ndërtimin e të Vlorës, drejtues të pushtetit vendor, etj.
Kryeministri Edi Rama duke e konsideruar aeroportin e Vlorës si porta e tretë që po hapet nga qielli theksoi se “mbi gjurmën e aerodromit të vjetër sot fillojmë një histori të re”.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve të aeroportit të Vlorës, Kryeministri Rama tha se ”
Duke uruar festën e flamurit të gjithë shqiptarëve, Rama tha se “Vlora ka historinë e saj përsa i përket transportit ajror, ndërsa këtu ku ne ndodhemi është ndërtuar edhe aerodromi qysh në vitin 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Mbi këtë gjurmë të aerodromit të vjetër ne sot fillojmë një histori të re së bashku me një mik të mirë, një njeri ndër më të shquarit të sipërmarrjes tonë kombëtare, një personalitet, i cili me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës dhe çmohet prej shumë popujve e prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë”.
“Njeri të cilin kam nderin ta konsideroj dhe mikun tim, Bacën Behgjet që e falënderoj shumë për përfshirjen në këtë aventurë të përbashkët sepse për hir të vërtetës në të gjitha punët që kemi bërë kjo për të ardhur këtu në këtë ditë ka qenë më e vështira dhe për dreq qëlloi të ishte një punë që duhej bërë në Vlorë dhe mua mu desh të përballoj të gjithë padurimin e vlonjatëve, që dihet që janë kampionët e padurimit në të gjithë universin shqiptar”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “nuk ishte e thënë që ky proces të shkonte fjollë siç do ta kishim kemi dëshiruar u nis dhe u pengua disa herë për arsye objektive, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me ne sepse veprat e mëdha publike i kanë këto të papritura. Në mes na u fut edhe pandemia, e cila se më shumë se çdo sektor goditi sektorin e aviacionit dhe u bë thuajse e pamundur se do të gjendeshin forca e njerëz që do të ishin të interesuara të investonin në një aeroport të ri në kohën që aviacioni lëngonte në kthetrat e armikut të padukshëm”.
Ne, vijoi Rama, nuk reshtëm së bëri përpjekjet deri sa gjërat erdhën aty ku duhet dhe u bë e mundur të gjendet forca e duhur për ta çuar përpara këtë projekt të madh, që është forca e Pacollit, e konsorciumit që ai ka krijuar.
“Gjithë ajo vonesë, gjithë ai stres për të cilin vlonjatët kontribuuan me gjithë ato përqeshjet e tyre karakteristike dhe romuzet e tyre tradicionale u kthye në një mirësi sepse sot jemi këtu jo vetëm me konsorciumin e krijuar nga Pacolli, por edhe me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Përfaqësuesit e të cilit janë këtu sot me ne, kanë nisur ta shoqërojnë procesin për përgatitjen e projektit të zbatimit që në hapat e parë dhe të gatshëm për të marrë operimin e aeroportit të Vlorës në momentin që konsorciumi ndërtues do të arrijë ta përfundojë dhe ta bëjë gati për fluturimet”, – theksoi Rama .
Kryeministri Rama tha se “është fantastike që aeroporti i Mynihut vjen në Vlorë si një forcë operacionale, e cila garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë, por garanton dhe sinergjinë me struktura të tjera, me aeroporte të tjera”.
“Aeroportet janë si klane familjare në një farë mënyre. Nuk mjafton që të ndërtosh një infrastrukturë të bukur, apo të kesh një pistë, e cila këtu do të jetë 3.2 km dhe do të vërë në funksion kapacitetin dhe për fluturime të drejtpërdrejta transoqeanike, por duhet të kesh aleanca dhe sinergji me aeroporte të tjera, për të menaxhuar një numër shumë më të madh pasagjerësh dhe për të krijuar një sistem ku strukturat aeroportuale mbështesin dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ky aeroport bëhet porta e tretë ndër 4 porta qielli që duam të hapim për Shqipërinë, pas atij të Tiranës dhe të Kukësit, para se të nisë puna dhe për aeroportin e katërt, që është aeroporti sezonal të Sarandës që do të funksionojë drejtpërdrejt dhe vetëm në mbështetje të sezonit turistik të pikut”, nënvizoi Rama duke shtuar se është një aeroport shumë i domosdoshëm.
Kreu i qeverisë tha se “po të kemi parasysh që sot logjika e industrisë së turizmit është që për të pasur jo vetëm sasi, por edhe cilësi në prurjet e turistëve dhe për të synuar jo vetëm masë turistësh, por edhe atë nivel të shpenzimeve nga ana e turistëve në territor, që do të thotë për të sjellë kategorinë A të turistëve, që janë ata që shpenzojnë më shumë kur vijnë me pushime, është e domosdoshme që pika e mbërritjes në vend pushim mos të jetë më shumë se 45 minuta ose maksimumi një orë nga pika e zbritjes në vend. Kjo është arsyeja pse ne na duhen 4 aeroporte në këtë fazë, mbase në një fazë të mëvonshme mund të na duhen më shumë se kaq”.