Nga zonat periferike të Sarandës nis bashkëbisedimi për prioritetet e 2022
Nga zonat e banuara në dy skaje të qytetit të Sarandës, ka nisur marrja e sugjerimeve për projektbuxhetin 2022.
Ekipi i Bashkisë, i kryesuar nga Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe me prani të kryetarit të Këshillit Bashkiak Asaf Stroka, ishin në bashkëbisedim të hapur e të thjeshtë me banorë të “Baba Rexhepit” dhe Lugut të Dardhës.
Banorët vlerësuan atë çfarë qeverisja vendore ka bërë në zonat e tyre të banimit, si: zgjidhjen për problematikat e trojeve, rritjen e koefiçientit të ndërtimit, përmirësimet në infrastrukturë etj. Nga banorët u kërkua që të ndërhyhet me investime të vogla e të përballueshme nga buxheti i Bashkisë, për shtimin e orëve të furnizimit me ujë të pishëm, për kanalizimin e ujërave të ndotura, për zëvendësim të llampave të ndriçimit publik.
Me thekse të reja u kërkua tolerancë zero ndaj ndotësve të mjedisit. Bashkiakët morën përsipër zgjerimin e hartës së vendosjes së kontenjerëve dhe shtimin e tërheqjes së mbetjeve urbane nga operatori i pastrimit, ndërkohë që nga banorët dhe bizneset në këto territore u kërkua qasje e re qytetare në nxjerrjen e mbetjeve dhe hedhjen e tyre në kontenjer. Po kështu, u kërkua të bëhet zgjedhja përfundimtare: o turizëm, o bagëtinë.
Në këto takime u sigurua se pranvera e vitit të ardhshëm do të vijë me zgjidhje përfundimtare për ujin e pijshëm, nëpërmjet projektit me KFW dhe vënies në punë të depos së Lugut të Dardhës, si dhe do të funksionojnë lejet tip për gropat septike etj.
Me përshirjen e një pjese të mirë të këtyre nevojave në buxhetin e vitit 2022, do të përmirësohet cilësia e jetës së këtyre banorëve, duke krijuar kushte efhe për të pritur turistë. Ndodhja e tyre në skaje të territorit të
Bashkisë, nuk ka bërë që ata të jenë në skaj të vëmendjes.