Investimet dhe shërbimet do e bëjnë Gjashtën lagje të Sarandës

Lënia për në fund e diskutimit të projektbuxhetit 2022 me gjashtarët, flet shumë për të njëjtin vlerësim të fshatit të tyre si vazhdim i qytetit.

Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se është prekur një pjesë e mirë e Gjashtës me investime në infrastrukturë. Një hartë të re kontenjerësh do të ketë së shpejti, për një ambient të pastër.

Por ndërkohë, kërkesa ishte për qasje më qytetare me mbetjet urbane, në kuadër të nismës së madhe kombëtare.

“Bashkia ka në dorë të shtojë kazanet dhe të shtrëngojë firmën e pastrimit për të bërë mirë detyrën- u shpreh Kryetari Gurma- por edhe nga banorët kërkohet të refuzojmë bashkëjetesën me plehërat dhe të jenë bashkëpunues kundër ndotjes”.

Banorët që e morën fjalën u solidarizuan me nismën për qytet dhe fshat të pastër, duke e lidhur ngushtë këtë me kulturën e jetesës, por edhe me dhënien e imazhit të denjë hyrës për në Sarandë.

Për këtë kërkuan edhe plotësim të sinjalistikës rrugore në hyrje e për rrugë të plotësuara në parametra dhe mbështetje me investime për rregullimin urban të zonës, për ujin e pijshëm, për ndriçimin publik etj.

U vlerësua fakti që për herë të parë Bashkia ka qenë prezente me investime komunitare, ndërkohë që vetë banorët thanë se nuk janë mirëmbajtur ato që janë bërë, duke e ilustruar këtë me thyerjen e stolave në këndin e lojërave etj.

Për zgjidhjen e furnizimit me ujë të pijshëm, u dha siguri se situata do të ndryshojë, me zbatimin e projektit të GIZ, në pjesën fundore të Gjashtës, furninimi me ujë, do të mund të bëhet pa ndërprerje.

Me investimet që do të planifikohen dhe me shërbimet më cilësore që do të jepen për Gjashtën më 2022, u tha se ajo bëhet realisht lagje e Sarandës.