Festa e Flamurit, deputetja e Sarandës krah Bashës tek homazhet ne Varrezat e Dëshmorëve

Në 109-vjetorin e të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i shoqëruar nga drejtues dhe deputetët e PD ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Basha thotë se kjo festë “na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi”.

POSTIMI I PLOTE

Sot kremtojmë ditën më të bukur të Kombit tonë që mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi.

Ne përulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit tonë, luftëtarët e Pavarësisë dhe të rënët për çlirimin nga pushtuesit, tek bijtë dhe bijat e Kosovës e mbarë kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në trojet e tyre stërgjyshërore. Sakrifica e tyre sublime, na frymëzon për plotësimin e aspiratës europiane të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci.

Gëzuar 28 Nëntorin!
Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar, Shqipërinë dhe kombin shqiptar!