Çfarë tha Rama për aeroportin dhe portin e Sarandës?

Kryeministri Rama e pranoi se në Shqipëri, prurja turistike është e nivelit të ulët e të mesëm, pra me të ardhura të ulëta, e jo atij elitar me të ardhura të larta.

Duke folur në parlament për Buxhetin 2022, ai tha se shumë investime po bëhen pikërisht për këtë arsye, për të sjellë turistin elitar, i cili sjell dhe shumë para.

“Me turizmin do të kemi rritje, por kemi sfidën që rritja të mos jetë një rritje në numër, por shumë më e lartë në të ardhura pavarësisht numri. Sot në kemi një turizëm që bazë ka turistin me të ardhura mesatare dhe të ulëta”, tha Rama.

Për këtë, ai përmendi Areoportin e Vlorës, që siç tha, nis punimet më 28 nëntor, si dhe garën e hapur për Areoportin e Sarandës.

“Në Sarandë puna për portin e ri ka filluar ndërkohë që gara për aeroportin është e hapur. Të gjitha këto janë të lidhura dhe me investimet në infrastrukturë. Të gjitha investimet synojnë jetëzimin e të gjitha pikave ku potenciali turistik është i lartë në të gjitha zonat”, tha kryeministri.