Çfarë investimesh i kërkuan banorët e Metoqit dhe Shelegarit, Adrian Gurmës?

Banorët e Metoqit dhe Shelegarit ishin konkretë si në vlerësimin e asaj që ka ndryshuar në jetën e tyre brenda një viti, edhe racionalë e konkretë në kërkimin për planifikim në buxhetin 2022.

Në Metoq listuan disa rrugë të brendshme, ku është nevojë të investohet, si: ajo te Burimi, rruga Lëkurësi, rruga e ish-Naftës apo poshtë Postës, U mbajtën shënim dhe në plan prioritar do të vendosen ato që impaktojnë sa më shumë familje dhe banorë.

Ndërhyrja për kanal ujitës në 8 parcela, gjithashtu u vlerësua shpenzim i nevojshëm. Ndërsa në Shelegar u kërkua të planifikohet për t’u bërë 170 m rrugë e brendshme.

Po kështu do të shikohet mundësia për të ndërhyrë me investime për 90 m rrugë që çon tek banesat në zonën e ish-repartit ushtarak. Takimet në Metq e Shelegar shërbyen edhe për të dhënë zgjidhje praktike për plotësimin e ndriçimit publik, për ndryshimin e orarit të furnizimit me ujë etj.

Dëgjimi i zërit të banorëve ishte i dobishëm edhe për shpejtimin e studimit dhe urbanizimit të zonave informale, për kanalizimet e ujërave të ndotura, për saktësime të zonave kadastrale dhe për eliminimin e bashkëpronësisë, për azhurnimet e nevojshme me ASHK etj., dhe për të lobuar në zgjidhje përfundimtare me energjinë elektrike.

Për mjedis të pastër u shprehën të interesuar e të angazhuar edhe vetë banorët. Ata kërkuan më shumë kosha mbetjesh dhe përgjegjshmëri të rritur nga operatori i pastrimit.

Ndërkohë wë nga Bashkia u kërkua ndërgjegjësim dhe bashkëpunim për menaxhimin e plehërave, siç do të ofrohet edhe shtrirja e punës së njësisë së pastrimit në mënyrë kapilare në gjithë territorin.

Kryebashkiaku Adrian Gurma u tha banorëve në Metoq e Shelegar se “ato që kemi bërë nuk ishin maksimumi ynë, edhe se 2020-a ishte vit i pandemisë”, ndërkohë që i siguroi se 2022 do të jetë vit investimesh dhe shërbimesh këtu.