“Buxheti”, Arben Ahmetaj: Po rritemi me shpejtësi të frikshme, ja dy arsyet
Prej orës 10:00 Kuvendi i Shqipërisë po diskuton Buxhetin e vitit 2022 dhe Paketën Fiskale. Në datë 15 Nëntor, buxheti u miratua në parim. PS deklaroi se ky buxhet do të sjellë rritje pagash dhe investime në disa fusha. Seanca pritet që të jetë maratonë, ndërsa në foltoren e Kuvendit pritet që të artikulohen si gjithmonë edhe çështje të tjera mes shumicës dhe opozitës. Fjalën në nisje të seancës e mori ministri Arben Ahemtaj që u shpreh se buxheti ka disa kryefjalë.
“Momenti i diskutimit të buxhetit bëhet pas daljes së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare për 650 mln euro përmes eurobondit 10 vite me interes 3.75%. Buxheti ka elementët sociale apo fiskal që mund të gjykohen nga njëra anë mirë, nga njëra anë jo mirë.
Shumëkush nga ju e di mirë që cdo herë testohemi në sytë e investitorëve që janë “akull të ftohtë” nuk e diskutojnë Shqipërinë me emocion. Ekonomia shqiptare kaloi periudhë jashtëzakonisht të vështirë, tërmeti dhe pandemia, që lënë të gjitha gërvishtjet afatgjata në fytyrën e një ekonomie, por mënyra si i kemi trajtuar dhe si jemi zgjedhur në mënyrë të maturuar tregon se Shqipëria ka arritur një maturim fiskal dhe papërgjegjshmëria është lënë mbrapa vite e vite.
Buxheti ka disa kryefjalë, e para është paketa sociale. Jam dakord edhe me debatin e opozitës a është mjaft apo jo. Pandemia vazhdon, shpresoj të mos kemi valën e katërt. Kryefjala tjetër është infrastruktura kritike. 80% borxhi publik patjetër që është i lartë, por u zgjeruam si një 100 vende e kusur.
Edhe Gjermania ka shkuar 80% e buxhetit. Por kemi filluar të ringrihemi dhe po rritemi me shpejtësi dhe arsyet janë dy; kujdesi i qeverisë dhe vibranca ekonomike. Një nga arsyet e rritjes ekonomike është konsumi, por jemi shumë larg të qenit rozë, por ky buxhet ndihmon në injektimin drejt sektorëve të duhur” deklaroi ai.