Vangjel Agora, aktori dhe regjisori që nuk e braktisi kurrë skenën e Sarandës
Vangjel Agora është një ndër ikonat e Estradës Profesioniste të Sarandës. Dhe si i tillë të shkruash për të është vlerësim që bëhet për figurën e tij. Ai nuk rendi për ta bërë artin e tij në të tjera skena, por zgjodhi të aktronte këtu, në Sarandë, në qytetin e tij të lindjes, për bashkëqytetarët e tij.
Që në rini ai është aktivizuar në aktivitetet kulturore – artistike që zhvilloheshin në gjimnazin “Hasan Tahsini”, në Sarandë. Filmat artistikë që shfaqeshin në kinemanë e qytetit si dhe më vonë në TVSH kanë qënë ato që i dhanë shkëndijat e para, për një rrugë që Vangjeli do ta vazhdonte deri në fund të karierës së tij si artist i artit skenik.Krahas aktiviteteve artistike në gjimnaz, aktivizimi në teatrin e kukullave të qytetit me regjisor Taqo Lepurin, do të zhvillonin më tepër aftësitë e tij skenike dhe do të ngacmonin dëshirën e tij për të studjuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Në 1974 Vangjeli konkuroi mes 400 konkurentëve dhe fitoi së bashku me 13 të tjerë. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutit të Arteve në vitin 1977, emërohet me punë në Estradën e Sarandës, duke qënë kështu aktori i parë me shkollë të lartë në këtë trupë artistike. Ai ka interpretuar së bashku me aktorë shumë të njohur si Theofil e Violeta Haxhijani, Karafil Shena, Lek Mosi, Yllo Martiko për të ecur më tej me të tjerë aktorë si Luiza Papathanasi, Kostaq Nika, Zef Mosi, Katerina Zoto, Pranvera Brinja, Valentina Boçi, Haki Spaho, Flamur Oruçi, Anastas Nika etj. Përveç lojës si aktor në Estradë, Vangjel Agora ka spikatur me lojën e tij skenike edhe në disa filma artistikë, Vullnetin për më të mirën në artin e tij të interpretimit dhe jo vetëm e përfeksionoi duke u specializuar edhe në Rumani, duke përvetësuar kështu edhe rolin e regjisorit, rol të cilin e ushtroi deri sa doli në pension.
Vangjeli është vlerësuar dhe nga Presidenti I Republikës me titullin “Naim Frashëri “ i Artë. Gjithësesi dashuria për punën, për kontributin 40-vjeçar në skenë, shfaqjet e suksesshme në rang lokal dhe kombëtar e trupës së Estradës Profesioniste të Sarandës e shtynë Vangjelin drejt përgatitjes së një historiku për Estradën, një angazhim ky unikal në mbarë vendin. Puna plot bereqet me Akademikun, Doktor Profesor Josif Papagjoni, garanton një vepër dinjitoze, që do të mbështetet dhe nga Bashkia dhe vetë Kryetari, Adrian Gurma. Urojmë që ky punim të shohë sa më shpejt dritën e botimit.