Tik Lapaj tenton të sqarojë gënjeshtrën me VKM-në ku u kap gafil nga Rama
Gjithologu Adriatik Lapaj ka sqaruar debatin që ka pasur një natë më parë me kryeministrin Edi Rama, teksa ishte i ftuar në emisionin “Zonë e lirë”.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Lapaj shkruan se Vendimi i Këshillit të Ministrave që pret ende miratim për ‘klientët’ në nevojë nuk është e njëjta me atë që e ka titullin “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 KËH në muaj”.
Kjo e dyta, sipas Lapajt është miratuar për rimbursimin e kostove shtesë që i kanë ardhur familjeve në nevojë nga heqja e fashës 300 KWH që ishte në fuqi nga qeveria e mëparshme, por nuk ka lidhje me detyrimet e ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë” i cili e çon mbrojtjen në një nivel tjetër, pra që familjet në nevojë ta përfitojnë energjinë me çmime preferenciale.
Përsa i përket ngritjes së tonit të zërit, Lapaj shton se ka angazhimin e tij publik e sheh si një luftë idesh e argumentesh e jo si një luftë për trashësinë e zërit. Debati publik sipas tij, është mundësi që te qytetarët e rinia të jepet një shembull se si idetë mbrohen pa bërtitur. Aludimeve se është një aspirant për hapje partie, Lapaj u përgjigjet se nuk e ka pasur asnjëherë në mend këtë gjë, pasi sipasj tij shoqëritë nuk ndryshojnë nga partitë, por ndryshojnë nga vetëdijësimi dhe vullneti për t’i ndryshuar.
STATUSI I PLOTË:
DISA SHËNIME DHE 1 PËRGJIGJE PËR DEBATIN ME KRYEMINISTRIN
Së pari, theksoj se angazhimin publik nuk e shoh si luftë se kush e ka zërin më të trashë, por si luftë idesh dhe argumentesh. Debati duhet të jetë në funksion të së vërtetës, pa pasur komplekse se si kjo e vërtetë është. Shumë më mbështetën për qëndrimin tim kokëfortë te argumenti, por pati dhe nga ata që menduan se unë duhet të isha më agresiv. Në bindjen time nuk ka asgjë më të fortë se e vërteta. E dua të vërtetën. Debati publik është mundësi që te qytetarët, rinia të jepet një shembull se si idetë mbrohen pa bërtitur. Luftoj për të. Së dyti, lexova diku se më aludonin si aspirant për hapje partie. Personalisht as kam pasur e as e kam aspiratë hapjen e ndonjë partie. Mendoj se shoqëritë nuk ndryshojnë nga partitë, por ndryshojnë nga vetdijësimi dhe vullneti për t’i ndryshuar. Në fund partitë janë shumatore e qytetarëve që përbëjnë antarësinë e tyre, pra janë produkt i nivelit dhe aspiratave të shoqërisë. Angazhimi im është qytetar dhe në funksion të ndërgjegjësimit shoqëror.
Së treti, me Kryeministrin patëm debat në lidhje me VKM-në për përcaktimin e “klientëve në nevojë” sipas përcaktimeve që bën ligji nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” në nenin 95. Ai pretendoi se Këshilli i Ministrave e ka përmbushur këtë detyrim ligjor, ndërkohë që unë pretendova të kundërtën. Kryeministri referoi se KM ka nxjerrë VKM-në Nr. 8 datë 14.01.2015 në lidhje ne shtresat në nevojë. Në fakt siç dhe i thashë në emision, VKM-ja Nr. 8 e ka titullin “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 KWH në muaj” dhe rezulton e nxjerrë në zbatim të ligjit nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Pra, siç kuptohet dhe nga titulli kjo VKM është miratuar për rimbursimin e kostove shtesë që i kanë ardhur familjeve në nevojë nga heqja e fashës 300 KWH që ishte në fuqi nga qeveria e mëparshme, por nuk ka lidhje me detyrimet e ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë” i cili e çon mbrojtjen në një nivel tjetër, pra që familjet në nevojë ta përfitojnë energjinë me çmime preferenciale. Ligji nr. 43/2015 në nenin 95 ngarkon KM me nxjerrjen e një VKM-je për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për kategorinë e “klientëve në nevojë”. Neni 108 i të njëjtit ligj e detyron Këshillin e Ministrave ta miratojë vendimin në fjalë brenda 12 muajve nga miratimi i tij. Ligji është miratuar në muajin Maj 2015. VKM-ja duhet të ishte miratuar brenda vitit 2016, por ende sot nuk është miratuar. Faleminderit! Shihemi të hënën.