Tenderi për tunelin e Llogarasë, Balluku-opozitës: Dosjet mund t’i çoni në SPAK

Partia Demokratike paralajmëroi kallëzim në SPAK ndaj ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja Balluku i  tha opozitës që nëse ka në plan ta çojë dosjen e tenderit në SPAK, mund ta bëjë, pasi sipas saj dosjet janë transparente.

“Nëse PD ka në plan ta çojë në SPAK, le ta çojë. Si qytetar duhet të jeni të lumtur që do të ndërtohet tuneli i zonës tuaj ku dhe keni konkurruar. Duhet të jeni më i saktë kur akuzoni pasi thatë që në tenderin e parë, nuk plotësonte dokumentet. Dhe në detyrën që keni qenë, së pari kontrollonit dokumentet. Kur nuk ka asnjë lloj letre, duhet ta japim thoni ju? Unë mendoj që jo. Vlerësimi është me pikë dhe vlerësohet pjesa e parë që ka të bëjë me eksperiencat e mëparshme. Dosjet janë transparente dhe mund t’i dërgoni në SPAK,” është shprehur Balluku.

Deputeti demokrat Helidon Bushati denoncoi para disa ditësh tenderin e tunelit të Llogarasë, pasi sipas tij qeveria ka shpallur fituese një grupim kompanish turke e cila ka ofruar 12 milionë dollarë më shumë.