Pagëzimorja e Butrintit, më e madhja në Iliri, e dyta më e madhe në gjithë Perandorinë Romake
Pagëzimorja e Butrintit është një monument i mrekullueshëm i periudhës paleokristiane. Është ndërtuar në mesin e shek.VI, periudhë gjatë së cilës krishtërimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e tij. Ky monument i rrallë arkeologjik u zbulua në vitin 1928 nga Misioni Arkeologjik Italian. Është pagëzimorja e dytë më e madhe në gjithë Perandorinë Romake, pas asaj së Shen Sofia-s që ndodhet në Stamboll (Kostandinopojë).
Pagëzimorja i kushtohet ritit të pagëzimit dhe simbolizon këtë rit në të gjitha aspektet e arkitekturës dhe të dekorimit te saj. Ajo përbëhet nga salla e pagëzimit dhe një sallë ndihmëse në veri të saj, të dyja të shtruara me mozaik. Salla e parë ka plan rrethor me diametër 13,5 metra, me dy radhë kolonash graniti. Figurat e mozaikut, kryesisht nga bota e kafshëve, janë vendosur në 69 medalione, në 7 rrathë bashkëqëndrorë, të cilat rrethojnë vendin e pagëzimit që ndodhet në qendër, duke e rritur kështu numrin e rrathëve në tetë (numri kristian për shpëtim dhe përjetësi).
Mozaiku i jashtëzakonshëm shumëngjyrësh i dyshemesë së pagëzimores së Butrintit është një nga mozaikët më të kompletuar dhe më kompleks të të gjithë pagëzimoreve të asaj periudhe. Vëmendja e vizitorëve që kalojnë pragun e hyrjes kryesore tërhiqet nga dy pallonj në një hardhi, që rritet në një vazo të madhe. Pallonjtë simbolizojnë parajsën dhe pavdekshmërinë, ndërsa vazua dhe rrushi simbolizojnë fertilitetin dhe gjakun e Krishtit.
Salla mendohet të ketë qenë e mbuluar me sistem qemeresh e kupolë mbi kolonat qëndrore. Edhe salla tjetër, përafërsisht drejtkëndëshe, është e shtruar me mozaik, me motive nga bota shtazore dhe figura gjeometrike.
Mozaikët në pagëzimoren e Butrintit kanë vlera të rralla artistike dhe dekorimi i tyre paraqet karakteristika të përbashkëta që shtrihen në një krahinë shumë të gjerë, e cila fillon që nga nga Vjosa në veri e vazhdon në jug në disa zona të ndryshme të Epirit.