Investimet në rrugë në 2022: Nga tuneli i Llogarasë tek Kardhiq-Delvinë
16 miliardë lekë të reja ka parashikuar qeveria si mbështetje për investimet që përfshijnë transportin rrugor gjatë vitit 2022. 4.1 miliardë lekë shkojnë për kontratat koncensionare, ndërsa 12 miliardë të tjera për ndërtim dhe sistem rrugësh.
Sipas projektbuxhetit 2022 që është dorëzuar në Kuvend, ndër kocensionet që përfitojnë sërish mbështetje është ai për “Ndërtimin e Rrugës së Arbrit”, për “Ndërtimin e Rrugës Milot-Morinë”, koncesioni për “Ndërtimin e Rrugës Orikum-Dukat dhe “Ndërtimi i Rrugës Milot-Balldre”.
Ndërkohë sa i përket investimeve direkte në infrastrukturën rrugor qeveria ka parashikuar afro 4.6 miliardë lekë për tunelin e Llogarasë që do të lidhë Orikumin me bregdetin e Himarës. Ky projekt parashikohet të kapë një vlerë prej afro 19.4 miliardë lekë të shpërndara në 4 vite buxhetore. Një tjetër projekt me rëndësi që pritet t’i japë një hov zhvillimit të turizmit në zonën e jugut është ai për ndërtimin e rrugës Palasë-Dhërmi për të cilin janë parashikuar 378 milionë lekë.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një mbështetje e konsiderueshme buxhetore edhe për Unazën e Madhe të Tiranës. Sipas tabelës së investimeve publike që bashkëshoqëron projektbuxhetin, parashikohet që për vitin e ardhshëm për këtë projekt të investohen edhe 1.7 miliardë lekë të tjera. Ato do të shërbejnë kryesisht për segmentet e reja të Unazës, kryesisht ato veriore të saj.
Ndër projektet e tjera që do të mbështeten financiarisht gjatë vitit të ardhshëm janë edhe: Kardhiq-Delvinë, ByPassi i Shkodrës apo edhe rruga Korçë-Ersekë.