IKMT i shemb ndërtesat në Jalë, pronari qan me ngashërim: Rama, pjellë nepërkash
I pafuqishëm për të ndalur aksionin e IKMT e cila po i shemb pronat në Jalë të Himarës, pronari Fotaq Bala nuk mban dot lotët, i mbështetur pranë një peme. Mundin e derdhur prej vitesh për të ndërtuar shtëpinë dhe biznesin e shikon me sy teksa i shembet për disa minuta. Ndonëse ndërtesat e tij janë pa leje, është e dhimbshme të shihet teksa pronari qan me ngashërim pa folur asnjë fjalë.
Foli vetëm e motra e tij, e cila e quajti të parin e vendit si “pjellë nepërkash”.
“Unë betohem në Bibël, ai është një armik. Rama është një pjellë nepërkash”, tha ajo.
IKM e ka vijuar aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje që prej mëngjesit të sotëm në Jalë në zonën e bregdetit. Janë rreth 15 objekte për t’u prishur në këtë zonë ndërsa bëhet fjalë për barë, restorante dhe një ndërtesë. Gjatë aksionit të sotëm deri më tani janë shembur 3 objekte, konkretisht një shtëpi, një bar-restorant si dhe një shtëpi druri.
Operacioni “Bregdeti Ynë” për shembjen e ndërtesave pa leje ka nisur që në muajin qershor me qëllim pastrimin e vijës bregdetare, nga veri në jug, nga ndërtimet pa leje. Për shkak të sezonit turistik operacioni u ndërpre përkohësisht, ndërsa tashmë ka filluar sërish.