Historia e notit, që nga Noti e ka jetën
Nga Thoma Nika
Emri i tij është Noti Llambraqi. Ndër fëmijët e viteve ‘50 dallonte për bukuri e gjallëri përtej moshës.
Emri ishte një arësye më shumë për t’u dhënë pas notit e pas detit, që e kishte si tek avllia e shtëpisë së drunjtë, në të hyrë të Sarandës.
Bënte not qysh fëmijë dhe u bë notar garash në kampionate, kur ishte vetëm 15 vjeç.
Thotë se nga deti kishte dhuratë trupin e bukur e të lidhur, që i duhej për rininë. Këtë dhuratë e çmon edhe më shumë tani, që mosha e tij ka prekur dy shtata.
KURTHI I VDEKJES
– Pa Detin dhe notin, do të isha i harruar tani- thotë Noti.
Dhe tregon se si të qenët notar dhe me detin i pandarë, iu kthye në fuqi dhe energji e brendshme për të dalë me lehtësi nga kurthi që vdekja i ngriti 20 vjet të shkuara.
La prapa sëmundje nga ato me mbiemrin e frikshëm: të pashërueshme.
Çfarë kishte ndodhur? Një mëngjes, atje nga viti 2002, u gdhi me disa puçra në njerën këmbë. Nuk u dha rëndësi dhe gati i shpërfilli, por ato nuk ishin nga ato që, siç vijnë ikijn. Iu zmadhuan dhe këmba u enjt e u bë sa për dy. Kjo erdhi e u bë hall shëndeti për atë vetë, por edhe merak i madh për miqtë e shumtë të Notit. Nexhua, portieri i spitalit, i tha që ishte me fat, se mjeku i njohur Panajot Poga, gjendej në Sarandë, për disa ditë pushime. E pa mjeshtri dhe i la takim urgjent në klinikën e vet në Tiranë. “O vjen për dy ditë, o mbetesh me një këmbë”, i kishte thënë Prof. Boga. E operoi. Kishin qenë puçra me natyrë të keqe. Ndaj ndërhyrja duhej çuar deri në fund, duke bërë seanca rrezatimi. Po duheshin edhe ilaçe, që Notit nuk ia mbante xhepi t’i merrte.
U kthye në Sarandë. Por shëndeti nuk mori për mbarë. I vetëm në banesë, iu desh të luftojë me paralizën. U mbërthye në karrige me ditë të tëra. Miqtë e gjitonët i çonin ujë dhe ushqime. Më i veçanti: Bashkim Bequa. Por ajo që duhej, ishte t’i jepte fuqi vetes për të dalë nga paraliza. Jetën e ndante nga vdekja një fill i hollë.
MINORITAR QË NUK DINTE Ç’ISHTE GREQIA
Noti është ndoshta nga të rrallët minoritarë, që mendonte se as pasaportë ndërkombëtare e as vizë nuk kishte çfarë i duheshin. Sqepari i marangozit privat dhe puna si artist, vazhdonte ta nderonte dhe e mbante si “zotni” në Sarandën e tij, ku miqësia e pandarë, deti dhe gota e verës, gjithashtu e pandarë, ishin për atë, sa e gjithë bota.
Por ja që shëndeti mori për poshtë dhe mund ta vinte poshtë. Pashaporta dhe viza për Greqi u bënë domosdoshmëri. Po si, kush? Një vajzë që nuk e njohu dot, i kërkoi të mos e kundërshtonte për asgjë. I tha se do të kujdesej ajo për të gjitha: për dokumentat, për udhëtimin, për të gjetur mjekët e duhur në Greqi. “Kush është kjo vajzë?”, kishte pyetur Odisenë, kushëririn e tij, që bëri shoferin për ta çuar në Athinë. I tha se është Stela, vajza e tij, me të cilën nuk ishin parë që kur ajo ishte fëmijë 5 vjeç.
TEKSA MJEKËT TREGONIN QIELLIN
Në spitalin e Athinës e trajtuan si rast të veçantë. Por edhe për mjekët e atyshëm jeta ishte në bast me vdekjen dhe nuk dihej kush fitonte. Mjekët ecnin me terapinë, por ndodhte shpesh të ngrinin duart dhe të tregonin qiellin.
Me vullnet prej hekuri, Noti i jepte vlerë të shtuar terapisë me lëvizje jetike, duke provuar të bëjë “pompa” ulje-ngritjeje, mbajtur tek hekurat e krevatit. Tregon se e ndihmoi fort veten, por edhe një fuqi mbinjerëzore i erdhi pranë. Ai mëngjes 15 gushti iu duk se e bashkoi prapë me të gjallët. “Shën Maria m’u faneps- thotë- preka përqafimin e saj”. Atë mëngjes mjekët i la pa mend kur u tha se po: gishtin e këmbës mundej ta lëvizte.
Kthimi në jetën e vërtetë ishte bërë fakt. E pabesueshmja kishte ndodhur! Por kishte akoma shumë rrugë për ta quajtur jetën të fituar dhe vdekjen të mundur.
DIALOG ME DETIN E SARANDËS
Vajza e mori në Limnos, në qytetin grek larg Athinës, ku jetonte e punonte. Edhe atje mjekët ishin mosbesues, duke e menduar edhe me tre muaj jetë pacientin. Vazhdimi i mjekimit intensiv e korrekt, ndihma ndaj vetes dhe përkujdesjet e vajzës, çdo ditë ktheheshin në shëndet të përmirësuar për Notin.
Një ditë mori vendimin e fortë: do t’i kthehej Sarandës. Në Sarandë u kthye si pasagjer autobusi dhe duke u ndihmuar nga mbështetësja ortopedike e njohur me emri “pi”.
E kishte menduar mirë e mirë: shërimin e plotë do ta kërkonte nga deti i Sarandës. Nga ai det, që e kishte bërë djalë bukurosh e të fuqishëm, nga ai që e kishte bërë me emër si krolist i garave të gjata 400 e 800 metra. Tani atij deti nuk do t’i kërkonte medalje e kupë. Pak shëndet më të mirë do t’i kërkonte. Nuk do t’ia jepte? Zëri i brendshëm i përgjigjej “pse jo!”.
ME ZVARRITJE TE VALA E JONIT
Tregon se këmbë-këmbë, duke u mbajtur mbi “pi”-në e tij, e gjeti rrugën për tek plazhi i dashur i Centralit. E mënjanoi tutje “pi”-në dhe, duke u zvarritur, iu avit valës së ujit. Ia deshi trupi. Të nesërmen i njëjti itinerar. U zhyt. Deti iu bë se nuk ishte i mbushur me ujë, por me jetë e me shëndet. E ai kishte “hisen” e tij, që i duhej tani ta merrte. Në kujtesë i erdhën edhe tingujt e këngës së rinisë së tij “ Det, o det, i dashur det…”.
TRI GJËRAVE NUK U NDAHET NOTI
Dialogu dhe marrëdhënia me detin ishte rivendosur dhe u bë jetike. Kështu me javë, me muaj, me vite. Noti rinisi të bënte not në të. E noti iu bë jetë dhe shëndet. “Pi”-ja nuk dihet në çfarë kthine të shtëpisë po zë ndryshk. Ilaçet u lanë të skadojnë. Noti noton në dashurinë e tij për detin e Sarandës. Nga prilli në tetor, atje e gjeni. Pa asnjë shenjë nga historia e shëndetligut, i shpëtuar tërësisht nga sëmundja “e shpifur”, plot shëndet dhe plot dëshirë për të jetuar!
Pa iu ndarë tri gjërave që i bëhen shëndet: Detit të gjerë, Miqësisë së pavjetëruar dhe Verës së vjetëruar.