Gledis Nano zgjidhet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Gledis Nano është zgjedhur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të mërkurën e 6 tetorit.

Ky emërim vjen fill pas dorëheqjes së ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut.

Ai u emërua në detyrën e  kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e policisë së shtetit.

Gjatë të gjithë karrierës Nano ka kryer detyra të ndryshme në polici ku ka pasur rezultate në zbulimin e ngjarjeve të rëndësishme.

Më herët, ai luajti një rol të rëndësishëm në nxjerrjen nga kampi Al Hol në Siri të Alvin Berishës dhe në dy operacione të tjera riatdhesimi të shtetasve shqiptarë nga kampet në Siri.

Gjatë muajit gusht, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i dorëzoi Gledis Nanos, një certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global.

Vlerësimi në emër të qeverisë amerikane, thekson: “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.