Gjiknuri reagon pas akuzave të Ina Zhupës: “Idiotë të dobishëm”, publikojnë lajme të rreme
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, reagoi pas akuzave të PD për përfshirjen në një “aferë” për shitjen e gazit të Albpetrol. Sipas tij, kompania Albpetrol nuk ka shitur ndonjëherë gaz dhe kontrata që PD pretendon se është fshehur, nuk ekziston fare.
“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, jo për të sqaruar “idiotët e dobishëm”, që publikojnë lajme të rreme apo sponsorizojnë ato ekonomikisht dhe politikisht, vlen sqarimi sa më poshtë:
Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe Gaz Shoqërues (Gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik.
Ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e Bashkimit Europian, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF). E njëjta metodologji përdoret për naftën, ku çmimi përcaktohet sipas BRENT (Bursës së Londrës).
Fituesi i Ankandit u shpall kompania CGC me çmimin 80% të bursës. Pra nuk ka një çmim fiks, por çmimi është referencë e çmimit të bursës. Gjithsesi, kompania fituese e Ankandit nuk u paraqit për të lidhur kontratën për blerjen e gazit. Në këto kushte, “Albpetrol” sh.a bëri ekzekutimin e garancisë së ofertës, duke ndjekur rrugën ligjore. (Bashkëngjitur njoftimi për konfiskimin e sigurimit të ofertës)
Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij”, thotë Gjiknuri.