E turpshme, dëmtohet nga persona të papërgjegjshëm parku i ri në lagjen Kodër

Parku i ri publik i përuruar pak ditë më parë nga bashkia Sarandë dhe CEO i Raiffaisen Bank në Lagjen Kodër, është dëmtuar në mënyrë të turpshme nga disa qytetarë të papërgjegjshëm.

Bashkia Sarandë e cila iu përgjigj kërkesës së banorëve për ta vënë atë hapësirë në shërbim të komunitetit, duke gjetur donatorin dhe realizuar urbanizimin e saj, ka apeluar që të mbrohen këto investime që janë në shërbim të komunitetit.

Bashkia kërkon nga të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë personat që shkatërrojnë pronat e përbashkëta.

POSTIMI

APEL QYTETAR

Me keqardhje konstatojmë se në Parkun e ri Publik, të përuruar ditë më parë në Lagjen Kodër të Sarandës, është vënë dorë duke cënuar imazhin dhe mundësitë që ai Park ofron për çlodhje dhe argëtim të qytetarëve e sidomos të fëmijëve.

Ndërsa qeverisja vendore iu përgjigj kërkesës së banorëve për ta vënë atë hapësirë në shërbim të komunitetit, duke gjetur donatorin dhe realizuar urbanizimin e saj, është për të ardhur keq që qytetarë të veçantë i lejojnë vetes dëmtimin e kësaj pasurie të përbashkët.

Ky apel qytetar u dejtohet në radhë të parë atyre, që të ndalin dorën e shkatërrimit, por edhe të gjithë të tjerëve, për të qenë ndalës të asaj dore, apo denoncues për këdo që vepron kundër interesave komunitare.