Ambasadori i Turqisë u mirëprit në bashkinë Sarandë: Ja çfarë u bisedua për rritjen e turizmit
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, u prit dje nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma. Pasi ka shprehur kënaqësinë për vizitën e një miku nga një vend mik, Kryebashkiaku Gurma e ka njohur diplomatin turk me profilin turistik të Sarandës, që bëhet gjithnjë e më i qartë dhe konkurrues. Duke folur me admirim për turizmin e Turqisë, si një histori suksesi, kreu i Bashkisë Gurma ka kërkuar mbështetjen e z. Murat Ahmet Yörük, për mundësimin e binjakëzimit me një prej qyteteve me përparësi turizmin në Turqi.
Ai tha se shpreson që Saranda të bëhet përfituese e kësaj eksperince turke në fushë të turizmit, edhe në kuadër të nismës së Prefekturës Vlorë, inicuar nga Prefekti Mamaj me Prefekturën homologe të Mullit në Turqi. Por lidhjet e drejtpërdrejta mes bashkive homologe, u shpreh Gurma, janë edhe më të dobishme.
Pasi ka vlerësuar si speciale raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë, ambasadori Murat Ahmet Yörük, tha se “jemi gati të flasim për të sotmen dhe ardhmen”. Duke përmendur numrin e lartë të kompanive turke që operojnë në Shqipëri si dhe shifrën e rritur në 130 mijë të shqiptarëve që vizitojnë Turqinë në vit, diplomati turk tha se nuk ka rritje të turistëve nga Turqia në Shqipëri dhe Sarandë.
Për këtë ai ka nënvizuar nevojën e promocionit më agresiv dhe ka thënë se dërgon video të bëra nga vetë ai në bregdetin shqiptar, nga të cilat miqtë e tij në Turqi, mbeten të habitur dhe pyesin “ku janë?”. Në këtë kontekst ai ka sugjeruar që Saranda të pozojë asetet dhe ofertën e vet pranë agjentëve turistikë në Turqi dhe suksesi do të vijë.
Ideja e binjakëzimit me një prej qyteteve turke, është mbështetur prej tij, duke menduar si të mundshëm Bodrumin, në prefekturën e Mullit, proces për të cilin ai shprehu vullnet për ta ndjekur në proces.
Ambasadori turk nga takimi në Bashkinë e Sarandës ka bërë publik lajmin që së afërmi Turqia do të ketë një konsullatë të përgjithshme në Vlorë, e cila do të mbulojë me shërbim Qarkun e Vlorës dhe atë të Gjirokastrës.
Gurma dhe Yörük shkëmbyen dhurata promocionale mes njeri-tjetrit.