Ahmetaj: Brenda dy vitesh Kadastra do të kthehet në institucion online
Zv/kryeministri Arben Ahmetaj shprehet se brenda dy vitesh shërbimet e Kadastrës do të jenë të gjitha online. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmetaj ka bërë publik një takim me krerët e Kadastrës.
Ai shprehet se së shpejti do të prezantohet plani i qeverisë për digjitalizimin e sistemit të Kadastrës që shërbimet të merren online brenda dy viteve të ardhshme.
“Sot me drejtuesit e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës. Së shpejti prezantojmë planin e qeverisë për dixhitalizimin e sistemit të kadastrës dhe ofrimin e shërbimit online për qytetarët.
Brenda dy viteve të ardhshme ASHK do të kthehet në institucionin me përshpejtimin më të madh të dixhitalizimit në favor të rritjes së transparencës, reduktimit të kohës dhe kostove për qytetarët.
Ky është mandati i transformimit të shërbimeve për qytetarët, përmes dixhitalizimit, e ASHK do të jetë shembulli më kuptimplotë i ndryshimit të prekshëm për cdo qytetar shqiptar”, shkruan Ahmetaj.