Aeroporti i Sarandës, MIE ndryshon kushtet për operatorët lidhur me kapacitetet teknike

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka lënë afat deri më datë 4 tetor për operatorët e interesuar lidhur me koncesionin e aeroportit të Sarandës, një procedurë e hapur vetëm pak kohë më parë.

Paralelisht me ndryshimin e datës së paraqitjes së ofertave (që ishte 27 shtator) MIE ka bërë edhe dy ndryshime në dokumentet standarde të procedurës.

Këto ndryshime lidhen me kapacitetet teknike që duhet të zotërojë operatori. Tek ndryshimi i parë duket se kemi të bëjmë me një lehtësim për operatorët lidhur me ekspertizën e operimit dhe menaxhimit ku më herët operatorëve u kërkohej që të kishin eksperiencë në aeroporte të tjerë tregtarë. Kurse tani është bërë që eksperienca mund të jetë edhe në vetëm në menaxhimin dhe përmirësimin e të paktën një aeroporti tregtar.

ËSHTË:

Në mënyrë që të përmbushen kërkesat e pikave 4 dhe 5, Ofertuesi duhet të trajtojë fushat e mëposhtme sa i përket kapacitetit operacional dhe menaxhues:

Ekspertiza e Operimit dhe Mirëmbajtjes: Siguroni dokumentacion që dëshmon ekspertizë në menaxhimin aeropotual të natyrës së përmendur më sipër. Në mënyrë të veçantë, Ofertuesi duhet të theksojë eksperiencën në fushat e mëposhtme:

  1. Përvojë thelbësore në menaxhimin dhe përmirësimin e aeroporteve të tjera tregtare.

BËHET:

Në mënyrë që të përmbushen kërkesat e pikave 4 dhe 5, Ofertuesi duhet të trajtojë fushat e mëposhtme sa i përket kapacitetit operacional dhe menaxhues:

Ekspertiza e Operimit dhe Mirëmbajtjes: Siguroni dokumentacion që dëshmon ekspertizë në menaxhimin aeroportual të natyrës së përmendur më sipër. Në mënyrë të veçantë, Ofertuesi duhet të theksojë eksperiencën në fushat e mëposhtme:

  1. Përvojë thelbësore në menaxhimin dhe përmirësimin e të paktën një aeroporti tregtar.

Një tjetër ndryshim po tek kapacitetet teknike duket se i rrit kërkesat sa i takon Sigurisë dhe parrezikshmërisë. Teksa më herët kërkohej që operatori të kishte njohuri tashmë kërkohet që të ketë ngritur, operuar dhe zhvilluar një sistem të kësaj natyre.

 

ËSHTË:

ii Parezikshmëria dhe Siguria (Safety and Security): Tregoni aftësi për të trajtuar dhe zgjidhur çështje të parrezikshmërisë dhe sigurisë (Safety and Security). Në mënyrë të veçantë, Ofertuesi duhet të nxjerrë në pah përvojën dhe kualifikimet në fushat vijuese: Njohuri mbi metodologjitë dhe administrimin e parrezikshmërisë dhe sigurisë (Safety and Security) në aeroport.

BËHET:

ii Parezikshmëria dhe Siguria (Safety and Security): Tregoni aftësi për të trajtuar dhe zgjidhur çështje të parrezikshmërisë dhe sigurisë (Safety and Security). Në mënyrë të veçantë, Ofertuesi duhet të nxjerrë në pah përvojën dhe kualifikimet në fushat vijuese: Të ketë ngritur, operuar dhe zhvilluar sistemin e menaxhimit të parrezikshmërisë dhe sigurisë (Safety and Security) në aeroport.

Aeroporti

Koncesioni për Aeroportin e Sarandës, të katërtin në vend nëse arrin të realizohet u njoftua pak javë më parë nga përfaqësues të qeverisë. Aeroporti do të jetë i kategorisë 3C me pistë 2200 metra dhe vlera minimale e hapjes së garës është vlerësuar në rreth 37 milionë euro. Pritshmëritë sipas dokumenteve janë që në vitin e parë të operimit numri i pasagjereve të jetë 150 mijë dhe sipas studimit të konsolidohet në mbi 1 milionë maksimalisht në vit. Aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport sezonal. Shqipëria ka aktualisht në funksion dy aeroporte, atë të Tiranës dhe Kukësit ndërkohë që është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.