Vendimi për të mos gjobitur “mafien” e miellit, Arben Ahmetaj: Bravo, ishte veprim i përgjegjshëm. Ata janë profesionistëve, unë u besoj
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tha se u beson ekspertëve të Autoriteteve të Konkurrencës në vendimin që morën, për të mos gjobitur kompanitë e prodhimit të miellit për rritjen e çmimit të këtij produkti, që solli edhe rritjen e çmimit të bukës në vend.
“Kam shumë besim tek ata, janë profesionistë shumë të thelluar në fushat e tyre, kështu që, edhe si një ent i pavarur, e respektoj vendimin”, tha Ahmetaj në një konferencë për mediat.
“Sa më përket mua, vendimi që kanë botuar, që nuk ka monopol në tregun e miellit dhe aty nuk ka marrëveshje horizontale, i besoj që kanë bërë hetim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjshmëri qytetare, profesionale dhe institucionale”, tha ai.
Me tre vota kundër, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës rrëzoi hetimet e kryera ndaj kompanive të prodhimit të miellit, si dhe marrjen e masës me gjobë ndaj tyre, edhe pse Sekretariati kishte konstatuar shkelje dhe abuzime për pretendimet e kompanive se kanë rritje të kostove të punës, duke propozuar një gjobë me vlerë totale 5 milionë euro për katër ndërmarrjet nën hetim.
Kompanitë e prodhimit dhe tregtimit të miellit janë kthyer në një lloj mafie, që e rrisin çmimin sipas qejfit, por për Ahmetajn, këto kompani janë të ndershme dhe s’kanë pse gjobiten.