Restaurimi, kisha e Shën e Premtes në Lukovë i rikthehet besimtarëve
Kisha e Shën e Premtes në Lukovë ka rifituar vlerat e saj dhe i rikthehet besimtarëve pas restaurimit.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha sot se “e mbuluar nga vegjetacioni, në rrezik humbjeje, pas restaurimit tërësor, Kisha e Shën e Premtes në Lukovë ka rifituar vlerat e saj dhe i rikthehet besimtarëve”.
Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli XVII. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.
Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.
Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës.