Një homazh nga bashkia Sarandë për ndarjen nga jeta të Kosta Lakos

Bashkia Sarandë i ka dedikuar një homazh, arkeologut të njohur Kosta Lako që u nda nga jeta pak ditë më parë.

POSTIMI

Është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur në Athinë, arkeologu i njohur prof. Kosta Lako.
Përveç boshllëkut dhe hidhërimit për familjarët, Kosta Lako la pas një kontribut të shumëvlerësuar për arkeologjinë shqiptare e veçanërisht për rajonin e Sarandës.

Kosta Lako lindi në vitin 1949 në qytetin e Sarandës, ku ka edhe mjaft kontribute profesionale, intelektuale e qytetare. Ai ka drejtuar gërmime arkeologjike në
Butrint, si dhe në Sarandë, Delvinë, Finiq, Shënjan, Bajkaj etj. Për vite me radhë ka qenë
bashkepunëtor shkencor dhe pergjegjës i Bërthamës Arkeologjike të Sarandës.

Kontribut i veçantë shkencor i tij është studimi për qytetin antik të Onhezmit, me të cilin mbrojti disertacionin shkencor, si dhe studimin e sinagogës ebraike të Sarandës dhe Manastirit të 40 Shenjtorëve.

Ka marrë pjesë dhe ka drejtuar disa ekspedita me arkeologë shqiptarë e të huaj.
20 vitet e fundit punoi në Muzeun Arkeologjik të Akropolit në Athinë.

Emri dhe autoriteti i tij shkencor është bërë i njohur përmes shumë artikujve shkencorë, brenda e jashtë vendit. Ai u nda nga jeta kur kishte ende shumë për t’i dhënë shkencës së arkeologjisë dhe vendlindjes së tij, Sarandës.