Kryetari i PD në Vlorë del kundër Bashës: Do jem në krah të Berishës nesër
Pasi konfirmoi ditën e sotme se do të jetë pjesë e Foltores së radhës së ish-Kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Vlorës, kryetari i PD-së në këtë qytet, Genc Deromemaj ka shpjeguar se do të marrë pjesë në takim si një demokrat.
‘Do marr pjesë në një dëgjesë, si një demokrat, të ndërmarrë nga ish-lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Besoj do të ketë pjesëmarrje goxha të lartë’, tha ai.
I pyetur nëse do të ketë penalizim për ata që marrin pjesë në takim, Genc Deromemaj thotë se nuk beson që kjo gjë do të ndodhë.
‘Jo në mënyrë absolute. Unë jam demokrat dhe ne demokratët kemi vlera të jashtëzakonshme dhe udhëhiqemi nga liria. Kam bindjen e plotë që kushdo që do të marri pjesë nuk do të ketë asnjë lloj penalizimi. Nuk do të ketë as të penalizuar’, deklaroi ai.
Për sa i përket lajmeve se ka pasur presion për të mos marrë pjesë në takimet e Berishës gjatë takimit me Bashën, ai mohoi kategorikisht këtë gjë.
‘Marrëdhëniet me Bashën janë shumë korrekte. Para disa ditësh në një takim thërritur nga kryetari i partisë, kemi diskutuar për situatën dhe kemi marrë orientimin për të ruajtur pozitat e partisë.
Në takimin që kam marrë pjesë as nuk është tentuar të artikulohet kjo. Thjesht u orientuam për situatën ku ndodhemi. Ishte një shpjegim për situatën ku ndodhemi. Nuk kemi të bëjmë ndarje mes mbështetësve.
Unë mbështes çdo lloj lëvizje demokratike që në thelb ka parimet. Pas kësaj lëvizje PD do të jetë më e fortë për t’u përballur me mazhorancën’, theksoi ai.