Finiq, Kisha e Shën Kollit në Mesopotam e shpëtuar nga rrënimi, ruhen gjurmë qytetërimesh

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendje kishën e Shën Kollit në Mesopotam, tashmë e shpëtuar nga rrënimi dhe destinacion turistik.

Margariti solli “imazhin e një prej kishave më të bukura, mbi të cilën ruhen gjurmë qytetërimesh, me Kishën e Shën Kollit, në Mesopotam”.

Kisha e Manastirit të Shën Kollit (Mesopotam) në jug të vendit, monument kulture i kategorisë së parë pas restaurimit të plotë dhe konsolidimit të kambanares është një ndër destinacionet që nuk duhet humbur pa u vizituar.

Kjo kishë konsiderohet si një nga monumentet e rralla të Jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për të vizituar Manastirin e Mesopotamit në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetin antik të Finiqit.

Restaurimet në muraturë, në çati, konsolidimi i rrënojave të konakëve, në ambientet e brendshme, rinovimi i rrjetit të ndriçimit i kanë nxjerrë në dritë arkitekturën unikale që kjo kishë mbart.

Kisha është ndër më të mëdhatë dhe më të vjetrat e periudhës bizantine që ruan vlera origjinale dhe që mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.