Berisha sulm ballor: Lulzim Basha pazare të fëlliqura me Edi Ramën
Ish-kryeministri Sali Berisha u prit nga një grup simpatizantësh që thërrisnin në kor emrin e tij, teksa futej në Kuvend.
“Sot nis beteja jonë, sot nis beteja jonë për shpëtimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë nga pazaret e turpshme të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. PD do të dalë nga kjo betejë më e fortë dhe më e sigurtë në fitore, rroftë PD, rroftë Shqipëria,” tha Berisha, teksa hipi mbi makinë.
Berisha tha për mediat se Rama dhe Basha kanë një marrëveshje okulte me njëri-tjetrin dhe se ai tashmë do të punojë për të rikthyer legjitimitetin e PD-së.
BERISHA: I vetmi që do marrë përgjigjen që meriton është njeriu që shet partinë Demokratike me pazare të fëlliqura me Edi Ramën.
Cila do jetë lëvizja juaj e radhës?
BERISHA: Do jetë lëvizje statutore e tëra e bazuar në rivendosjen e legjitimitetit, statusshmërisë, sovranitetit të PD.
Jeni penduar që e rritët Bashen në PD?
BERISHA: Këto tani janë probleme të ndryshme, por them se emergjenca është kjo, PD do rivendosë sovranitetin, statutshmërine e saj të grabitur poshtërsisht me marrëveshjen Rama-Basha.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në orën e parashikuar në 10:00. Ai është pritur nga mbështetës të tij në hyrje të Kuvendit, të cilët doli t’i përshëndesë duke hipur mbi makinë.