Basha: Berisha sot foli me gjuhën e Ramës
Kreu i PD-së Lulzim Basha duke folur para gazetarëve për herë të parë është shprehur se ndihet i keqardhur për gjuhën e ish-kryeministrit Sali Berisha.
‘Më vjen keq për atë që kam dëgjuar gjatë ditës së sotme. Unë vlerësimet e mia për doktor Berishën i kam të njëjta, siç edhe i thashë mbrëmë. Por sot kam dëgjuar të njëjtën gjuhë si të kundërshtarit tim politik’, tha Basha.
‘Jam detyruar ta marr vendimin për Berishën. Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e dr. Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur, dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin është dyfishuar sot nga gjuha e zotit Berisha.
Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës. Uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë për t’u përqendruar në qëllimin kryesor për largimin e këtij regjimi. Tezat e kundërshtarit të vetëm Edi Rama i kam dëgjuar nga goja e tij. PD nuk ka rrugë tjetër përveçse e bashkuar t’i prijë kësaj beteje për Shqipërinë dhe shqiptarët’, deklaroi Basha.