Skandal në Borsh, anijet shkarkojnë vajin e djegur dhe karburantin në detin Jon
Përsëritet krimi mjedisor në ujërat pranë brigjeve shqiptare. Këto janë pamjet e ujërave të detit Jon në sipërfaqe të të cilit dallohet karburanti i hedhur aty.
Ky skandal është denoncuar këtë të shtunë nga arkeologu Neritan Ceka i cili ishte në bregun e Borshit si pushues.
Siç shihet edhe në materialin filmik dhe ne foto, mes ujërave të ndotura ka edhe plazhistë, aty po noton dhe një i mitur.
Mbetjet janë shkarkuar vetëm pak metra larg bregdetit.
Anijet here pas here hedhin vajin e djegur në det për të shmangur kostot e larta të asgjësimit në port.
Edhe këtë herë, anijet përdorin brigje të populluara. Pronarët e tyre janë të sigurt se askush nuk i kontrollon pavarësisht se ka një ligj të posaçëm që i detyron ato të asgjësojnë vajin e djegur në port.
Ndotja e ujit në bregdetet e Shqipërisë është kthyer në fenomen nga anijet.
Mbetjet e mbledhura në serbatorë konsiderohen të rrezikshme, e pavarësisht pasojave, drejtuesit e anijeve synojnë vetëm të shmangin tarifat e larta ndaj dhe i shkarkojnë në det.
Para disa muajsh një tjetër sasi mbetjesh u derdh në Adriatik, pranë Porto Romanos.