Greqi, Papandreu pyet Ramën “si e fitove mandatin e tretë?”, kryeministri tregon “sekretin”
Kryeministri Edi Rama është duke marrë pjesë në një simpozium në Greqi, organizuar nga ish-kryeministri grek Jorgo Papandreu.
Ky i fundit e ka prezantuar Ramën si një mik të vjetër, ndërsa e ka uruar për fitoren e mandatit të tretë, e ka pyetur se si ia doli që të bindë shqiptarët për t’i besuar edhe një katër-vjeçar.
Rama ka renditur disa pika, ndër to ndryshimi i vazhdueshëm i Partisë Socialiste. Rama veçoi edhe shërbimet online, për të cilat tha se “na shpëtuan” gjatë pandemisë, kur njerëzit mund të tërhiqnin dokumente online pa qenë nevoja të shkonin në zyrat e shtetit.
Pjesë nga biseda:
Papandreu: Tre mandate Edi, kjo nënkupton që me procedura demokratike keni arritur të bindi popullin që jeni e ardhmja.
Papandreu: Si jeni përfaqësuar, apo si keni arritur të merni këtë mbështetje për një tjetër katër vjeçar?
Edi Rama: Ne fituam mandatin e tretë dhe besoj që mbi të gjitha ia dolëm që pasi gjatë gjithë kohës kemi luftuar që të mos bëhemi asnjëherë një parti që identifikohet me pushtetin, por të mbetemi në sytë e njerëzve partia që identifikohet me ndryshimin. Dhe kemi luftuar gjatë gjithë kohës për të ndryshuar, e ndryshuar partinë tonë. Jemi përpjekur të sjellim njerëz nga fusha të ndryshme të jetës. Kjo mendoj ka qenë e para.
Tjetra ka të bëjë me atë çfarë kemi bërë. Për njerëzit është e qartë tashmë se kjo është rruga e drejtë drejt progresit. Jemi përpjekur të jemi përherë mjaft të sinqertë me njerëzit, nëse e krahasojmë me atë çfarë kemi bërë me atë që duhet të bëjmë, jemi ende larg. Por nëse krahasojmë atë çka gjetëm me atë që bëmë, jemi të kënaqur për të thënë që kjo është rruga.
Mendoj se rezultatet janë të dukshme për këtë, për të krijuar mendimin e përgjithshëm që puna është në progres dhe është në drejtimin e duhur. Ka qenë një fushatë mjaft e çuditshme dhe një luftë e çuditshme dhe për shkak të covidit, dhe për faktin se po kërkonim të merrnim një mandat të tretë. Por ia dolëm. Dhe tashmë jam mjaft optimist se kemi projekte të rëndësishme që janë në punë e sipër. Kemi themele të mira për kulturën tonë dhe teknologjinë e informacionit. Ia kemi dalë të kryejmë një ndryshim shumë të shpejtë sa i përket shërbimeve elektronike dhe faktikisht gjatë covid-it ishte kjo ajo që na shpëtoi. Tashmë jemi në fazën e fundit të finalizimit të shërbimeve plotësisht online, për të mos patur më zyra shërbimesh. Do të mbyllen, nuk do të ketë më zyra shërbimesh në vend. Çdo gjë është në xhepin tënd, në telefon. Kjo është e rëndësishme për të eleminuar këtë korrupsion të vogël. Pasi kontakti i drejtpërdrejtë me nënpunësit publikë do të eleminohet.
Megjithatë mendoj që sa më shumë të bëjmë së brendshmi në shtete tona, kjo ka kufizimet e veta, nëse duam vërtet të hidhemi në një fazë tjetër të historisë tonë, na duhet bashkëpunimi rajonal.