Bypass-i i Vlorës, policia rrugore me dorë të “hekurt”, ndëshkohen rreth 220 shoferë
Hapja e Bypass-it të Vlorës, “është inauguruar” me shkelje të rënda nga drejtuesit e automjeteve. Radarë, dronë, alkooltestues, kamera, aparate fotografike dhe makina të paloguara në terren, janë përdorur nga policia për të bërë të mundur evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë 48 orëve të fundit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave të lejuara, shkelje të semaforit dhe përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.
Janë ndëshkuar 54 drejtues mjetesh, për parakalim të gabuar; 44 për shkelje të semaforit; 51 për shpejtësi tej normave të lejuara; 53 për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit dhe 25 për mosvendosje të rripit të sigurimit.
“Mos shpejtoni e mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos kryeni parakalime të gabuara dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini të sigurt në destinacion.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri”, thuhet në reagimin e policisë.