Belinda Balluku: Shumë shpejt nisim garën për aeroportin e Sarandës
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar nga afër punimet në aksin Palasë-Dhërmi.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se punimet për këtë vepër nuk krijojnë problematika sa i takon qarkullimit të automjeteve, për shkak të distancës që ky aks i ri ka me segmentin aktual.
“Në të ardhmen ky segment do të lidhë daljen e tunelit të Llogarasë me Dhërmiun dhe me të gjithë planet tona afatgjata për të vazhduar më pas nga Dhërmiu dhe deri në Himarë me të njëjtin tip rruge. Trafiku nuk do të kalojë më, pas daljes së tunelit, brenda fshatit Kondraq, Dhërmiut etj, duke i lënë kështu këto fshatra me një trafik të moderuar për banorët apo për vizitorët e zonës atje dhe të gjithë ata që duan të vazhdojnë rrugën nga tuneli i Llogarasë për akoma më në jug të vendit do të kalojnë nga kjo rrugë, e cila është rrugë e drejtë, pa kthesa, do të jetë rrugë e një kategorie të lartë përsa i përket sigurisë rrugore”, u shpreh Balluku.
Balluku bëri me dije po ashtu se shumë shpejt do të garën për aeroportin e Sarandës:
“Për të qenë më atraktivë për investimet që ne kërkojmë të kemi në jug në vitet e ardhshme, duhet t’i përgjigjemi me infrastrukturën e duhur, kryesisht atë rrugore, pasi është një nga kërkesat kryesore. Patjetër atë ajroren, siç tashmë kemi nisur nga puna për aeroportin e Vlorës dhe shumë shpejt nisim garën për aeroportin e Sarandës! Atë energjetike, e cila ka qenë një problem i madh për këtë zonë për shkak të linjave ajrore, por që sot janë zëvendësuar me 20 kilovoltshin e ri. Punime po bëhen në disa nga ujësjellësat e zonës për të rritur kapacitetet dhe për t’i ofruar jo vetëm shërbim banorëve, por edhe vizitorëve gjatë kohës së sezonit. Të gjitha këto së bashku bëjnë një kantier të madh në jug të vendit që unë shpresoj shumë që t’ia dalim dhe t’i përfundojmë në një afat kohor të premtuar, pa vonesa dhe me cilësinë e duhur, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë, por edhe vizitorët që vijnë me pritshmëri të larta tashmë në vendin tonë.”
Aksi Palasë-Dhërmi ka një gjatësi prej 4.5 kilometrash ndërsa gjerësia e trupit të rrugës do të jetë 11.5 metra. Në këtë segment është projektuar edhe ndërtimi i një ure me gjatësi 109 metra.