Asfalti i rrugës së re po nxin, borxhi i firmës ndaj Seniciotëve nuk po zbardhet

Nga Thoma Nika

Rruga Shënjan-Skërficë po nxin nga shtresa e re asfaltike. Madje as vijëzimet nuk mungojnë në pjesën plotësisht të përfunduar.

Mbrëmë “Jeep”-i i Arqile Çavos rrëshkiste mbi të dhe ne morëm ndjesinë se ishim mbi një pistë zhvillimi të paparë e as të ëndërruar ndonjëherë, të zonës dhe të fshatit tonë.
Në kilometrat e fundit u përshëndetëm me inxhinjerë, teknikë e punëtorë të firmës, që mbrëmja i kishte zënë mbi mjetet që sillnin, hidhnin apo ngjishnin asfaltobetonin që nxirrte avuj.

Vetëm kilometri i fundit që ndante nga gryka e Tunelit të Skërficës, ishte ende një trase e paplotë dhe e pakalueshme. Për të shkuar te tuneli, duhej të mbaje degëzimin e rrugës së vjetër, që të çon për Fushëbardhë.

Na thanë se Tunelit, i giatë diçka më tepër se 1300 metra, po i afron ora që të çahet tejpërtej, pasi për hapjen e tij punohej në 30 metrat e fundit. Na siguruan se, për punë ditësh, pra, do të “ketë dritë në fund të tunelit” dhe do të mund të shikohet me sy të lirë Ura e Kardhiqit.

Me siguri, java e re, do të sjellë lajme të reja, që lidhen me bërjen të kalueshme të rrugës Kardhiq-Sarandë.

Vetëm Senica mbetet ende një nyje e pazgjidhur, përderisa lidhja e këtij fshati me aksin kryesor, bëhet përmes një të përpjete thikë. Atë  nuk e zbuti as shtrimi me material betoni të fortë, që erdhi si reagim pas protestës së banorëve, apo u dha siç jepet një “fast food”, për të thyer urinë, por që ushqen keq. Vendi i zgjedhur për të bërë daljen nga rruga kryesore dhe futjen për në fshat, nuk të përgatit për këtë devijim.

Duke mos patur asnjë “xhep” e as zgjerim paraprak rruge, futesh drejt e në një malore të thiktë, që vetëm makinat 4 x 4 mund ta marrin. E kjo, në kushtet e fluksit të lëvizjes, mendohet se është baraz me aksident. Bërja e një mbikalimi, do të ishte zgjidhja ideale për Senicën, e cila, me vite përpara investimit, e kishte bërë rrugën që i duhej, me “kuletën” e vetë fshatit e sidomos të emigrantëve seniciotë. Investimi kaloi mbi pasuri të fshatit, që askush nuk ka kërkuar e as ka marrë ndonjë qindarkë dëmshpërblim.

Ama, prej firmës nuk mund të mos kërkohet , si kompensim, investimi për së mbari për lidhjen e fshatit të dëmtuar e të padëgjuar, me rrugën kryesore, në gjatësinë jo më shumë se 250 metra. Nëse ngritja e një mbikalimi quhet si “thelë mbi bisht”, pasi atje nuk është “Zogu i Zi”, le të gjendet një zgjidhje më pak e kushtueshme, por më shumë e pranueshme.

Veç të mirës së madhe publike që i vjen nga rruga e re tërë krahinës, përfshi Senicën, ende pa e shijuar këtë të mirë, seniciotëve u erdhi e keqja e tharjes për ujë. Ekskavatorët  e fadromat vunë përpara si gjë pa vlerë edhe tubacionin e ujësjellësit që çonte ujë në çesmat e fshatit. Deri edhe Rrapi historik i Kodrës së Burrave të fshatit, ka nisur t’i thajë fletët nga mungesa e ujit.

Zhbërja e rrugës ekzistuese, e bërë me qindra mijë euro të hedhura nga komuniteti dhe lënia deri tani, pa lidhje me projektin e ri të rrugës Kardhiq-Delvinë, është borxhi i parë i firmës ndaj këtij fshati me të djeshme dhe të sotme e sidomos të nesërme. “Borxhi” i dytë i firmës për këtë fshat, është rikthimi i furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Nuk është pretendim në erë, që edhe Senica të shihet e trajtohet si pjesë e projektit të investimit serioz, që u bë për këtë zonë e për gjithë rajonin, që do marrë frymë e do t’i hapet një e ardhme zhvillimore, me alternativa turistike.