80 pasagjerët e parë lundruan dje nga Saranda drejt Korfuzit

Këtë sezon turistik, rinisën më 1 korrik udhëtimet me traget nga Saranda drejt ishullit helen të Korfuzit, pas një ndërprerjeje të gjatë në kushtet e masave të kufizimit të lëvizjes nga pandemia Covid-19.

Burimet portuale në portin e Sarandës, bëjnë të ditur se rreth 80 pasagjerë udhëtuan të enjten në orën 16:00 nga Saranda drejt Korfuzit.

Rifillimi i udhëtimeve me traget drejt Korfuzit ishte paralajmëruar edhe nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj pak ditë më parë gjatë një takimi me bizneset turistike në Sarandë.

Mesohet se kushtet për të udhëtuar drejt Greqisë janë: Testi negativ PCR dhe certifikata e vaksinimit.

Udhëtimet drejt Greqisë nëpërmjet linjës ndërkombëtare detare Sarandë-Korfuz u ndërprenë para 470 ditësh për shkak të pandemisë globale.

Porti i Sarandës mbetet një prej pikave të kalimit kufitar, nga ku nisen drejt Greqisë dhe vendeve të tjera të BE-së një numër i madh udhëtarësh, një pjesë e të cilëve janë turistë të huaj.

Sipas burimeve zyrtare, para pandemisë globale, gjatë vitit 2018 në portin e Sarandës, kanë hyrë dhe dalë 482 mijë pasagjerë. Nëpërmjet këtij porti gjatë 2021-shit pritet të hyjnë në vendin tonë një numër i lartë turistësh të huaj, kryesisht nga vende të Europës Perëndimore.