Rruga Gusmar-Kuç/ Aks i ri udhëtimi përmes një pjese të panjohur të parajsës shqiptare
Rruga e re Gusmar-Kuç, e cila lidh Tepelenën me Himarën, do të krijojë një ofertë të re turistike për këtë zonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo rrugë, e cila sipas tij, krijon një aks të ri udhëtimi përmes një pjese të panjohur të parajsës shqiptare.
“Së shpejti Gusmar-Kuç, një aks i ri udhëtimi përmes një pjese të panjohur të parajsës shqiptare”, tha Rama.
Rruga turistike Gusmar-Kuç krijon një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes Tepelenës dhe Himarës.
Investimi për ndërtimin e kësaj rruge kap një vlerë prej 5,780,441 dollarë dhe fillimi i punimeve ka nisur në prill 2020.
Aksi Kuç-Gusmar lidh bashkë Tepelenën dhe Himarën, si dhe qarkun e Gjirokastrës me rrugën e Lumit të Vlorës dhe me bregdetin.
Investimi në këtë aks rrugor përfshin ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra.
Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit dhe një pjesë tjetër është me mbushje.
Ky projekt është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bënçë–Lekdush. Prej kohësh rruga ishte domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.
Natyra që shoqëron të gjithë këtë aks është një eksplorim më vete i turizmit malor, sepse jugu nuk ka vetëm plazhin e bukur.
Ky aks rrugor ndihmon në zhvillimin e zonës si për potencialin e saj turistik, ashtu edhe për tregtarët e zonës për të shitur produktet e tyre. Me përfundimin e kësaj rruge udhëtimi nga Tepelena në Himarë do të kryhet për një orë.